Dy “Lëvizjet BESA” duan të hyjnë të përçarë në Qeveri, çfarë po ndodhë?!

Dy krahët e ndarë të Lëvizjes BESA po synojnë që të bëhen pjesë e Qeverisë së koalicionit LSDM – BDI. Zyrtarët e këtyre formacioneve kanë bërë të qartë se dëshirojnë të jenë pjesë e pushtetit, edhe pse më parë si parti e unifikuar refuzoi pjesëmarrjen.

Pak pas përçarjeve që ndodhën brenda Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ishte takuar me kryeministrin Zoran Zaev dhe nga deklaratat pas takimit u dha sinjali se do të bëhen pjesë e koalicionit qeverisës. “Sipas fjalëve të Zaevit, rikonstruimi i parë qeveritar pritet në pranverë dhe ai na ofroi të mendojmë nëse atëherë do të kyçemi në Qeveri”, ka deklaruar Kasami. Ai thekson se partia e tij posedon kuadro me të cilat mund të kontribuojë në Qeveri.

Edhe kryetari i ri i krahut tjetër të Besës, Afrim Gashi nuk përjashton mundësinë e përfshirjes në Qeveri. “Kyçja jonë eventuale në Qeveri do të bëhet vetëm si Lëvizje Besa si subjekt politik I joni, negociatat do ti zhvillojmë me kryeministrin. Ne nuk paragjykojmë se kush janë partitë e tjera, aty është edhe BDI-ja sot me të cilën ne kemi shpesh qëndrime diametralisht të kundërta por në kryesinë e deritanishme të Lëvizjes Besa ka mbisunduar qëndrimi se në një moment kyç të këtillë kur Maqedonia po futet në NATO dhe zgjidhet kontesti i emrit ndoshta do duhet edhe ne ta zgjasim dorën e bashkëpunimit dhe ti japim një krah kësaj Qeverie që ta zgjidh këtë çështje”, ka theksuar Gashi. Por siç mëson INA gjithçka do të varet nga pazari politik që do të arrihet me Zaev, ndërsa vetëm njëra BESË do të jetë në Qeveri, derisa tjetra do të ngelet në opozitë. (INA)