Dyshja e gjykatësve për “Monstra” ja kush janë Stavrev dhe Shabani?

Seanca e parë gjyqësore për rastin “Monstra” do të mbahet më 12 shkurt në ora 10:00, ku si gjyqtar i parë i lëndës është zgjedhur Ognen Stavrev, ndërkaq i dyti Osman Shabani, njofton Portalb.mk.

“Seanca është caktuar për me të 12. Gjykatësi i parë i lëndës do të jetë Ognen Stavrev, ndërkaq i dyti Osman Shabani”, konfirmoi për Portalb.mk, avokati Naser Raufi.

Kush është Ognen Stavrev?

Gjykatësi Ognen Stavrev në Gjykatën Penale është që nga viti 1999. Ai në opinion u bë i njohur me udhëheqjen e procedurës gjyqësore kundër 7 personave të akuzuar për vrasjen e policëve përpara hyrjes në Haraçinë që ndodhi më 11 janar të vitit 2000. Gjithashtu, ai si gjykatës hetues e ka udhëhequr fillimisht hetimin për rastin “Luboten”, i cili më pas u bë rast gjyqësor në Hagë, në të cilën janë akuzuar ish ministri i Punëve të Brendhsme, Lube Boshkovski dhe ish komandanti i atëhershëm policor, Johan Tarçullovski.

Në vitin 2013, është emëruar gjykatës për krim të organizuar. Ai në atë kohë u zgjodh gjykatës në Gjykatën Themelore Shkupi 1, në vend të Vangelina Markudova, e cila u zgjodh për gjykatëse kushtetuese.

Gjykatësja Markudova, përpara se të bëhej gjykatëse, ka gjykuar në disa raste gjyqësor si “Falanga 2”, “Syri i gjarpërit”, “Filter” dhe “Sopoti”.

Kush është Osman Shabani?

Osman Shabani është gjyqtar me mbi 7 vite përvojë pune si gjyqtar, midis tyre katër vite si gjykatës hetues në Gjykatën Themelore Shkupi 1 dhe dy vite ka punuar si gjykatës për kundërvajtje, ndërkaq prej qershorit të vitit 2010 punon si gjyqëtar për krim të organizuar. Osman Shabani mbahet mend gjithashtu si kandidat për kryetar të Gjykatës Themelore Shkupi 1, ku në garë fitoi kryetari aktual, Ivan Xholev.