Laura Fazliu ishte adut për medalje, kurse u ndal në luftën e parë. Në nismë u ndalën edhe Shpati Zekaj e Dardan Cena. Flaka Loxha hyri në tetë më të mirat në një garë jo të lehtë për xhudon kosovare. Por është Loriana Kuka që mundësoi që xhudoja kosovare të ketë paraqitje pozitive në garën e parë të vitit dhe të vazhdoi serinë e fitimit të medaljeve në ngjarjet e Turit Botëror të Xhudos.
Loriana fitoi medaljen e bronztë në Grand Prix të Portugalisë, të dielën. Ajo garoi në kategorinë deri 78 kilogramë, ndërsa nisi ditën me dy fitore. Në çerekfinale përballë e kishte xhudisten më perspektive të kategorisë, ukrainasen Yelyzaveta Lytvynenko. Lufta zgjati shumë, gati 12 minuta, ndërsa në fund Loriana e mori dënimin e tretë. Kështu ukrainasja vazhdoi në gjysmëfinale, ndërsa Lorianës i duheshin edhe dy fitore për të arritur tek e bronzta. Dhe ato i realizoi. Emma Reid e Britanisë së Madhe fitoi të bronztën tjetër. Lytvynenko në finale pësoi nga xhudistja vendëse, Patricia Sampaio.
Për trajnerin e Kosovës në xhudo, Driton Kuka, e rëndësishme është që u fitua medalja. Ai nuk ishte bashkë me ekipin në Portugali. Në karrigen pranë tatamit qëndroi Majlinda Kelmendi.
“Loriana është rrahur mirë. I duhet edhe pak që të jetë në formën optimale”, ka thënë Driton Kuka për mbesën e tij, Lorianën. “Ukrainasja është e papërshtatshme. Në luftën e gjatë me të, Loriana e ka lënduar krahun, por ka vendosur të vazhdojë. Shpresoj që lëndimi nuk është serioz”, ka vazhduar trajneri Kuka.
Për 25-vjeçaren është medalja e tretë rresht e bronztë. Medalje bronzi kishte fituar edhe në Grand Slam në Abu Dabi më 21 tetor dhe në Grand Slam në Banku më 4 nëntor të vitit të kaluar. Garat Grand Slam janë nivel më i lartë se garat Grand Prix.
“Pa asnjë dilemë, Laura është dashur të fitojë medalje. Për mendimin tim është dashur ta fitojë të artën. Shpati ishte më i mirë dhe e humbi luftën. Dardani e pa nivelin e garave të mëdha, ndërsa edhe Flaka ishte më e mirë e pësoi. Në kokën e tyre po mungon diçka sa i takon aspektit taktik. Po më vjen keq për shkak të mundit të tyre, e po ashtu për shkak të mundit tonë si trajnerë. Por shkojmë tutje. Është me shumë rëndësi që në garën e parë të vitit fitojmë medalje. Nuk kemi dashur që në garën e parë të mbetemi pa medalje, edhe pse mund të ndodhë një gjë e tillë.
Për trajnerët Kuka e Kelmendi dhe për xhudistët nuk do të ketë fare kohë për pushim. Fundjavën e ardhshme mbahet Grand Slami i Parisit, e njohur si gara më e famshme e xhudos. Loriana, Laura, Flaka, Shpati do të jenë edhe në Paris, ndërsa në krye të ekipit të jetë kampionia olimpike, Distria Krasniqi.
Gara në Paris është e nivelit edhe më të lartë, ndërsa konkurrenca më e fortë se në Portugali.
Synimet e Kosovës natyrisht janë për më shumë “se një medalje e bronztë”, ndonëse edhe ajo ka vlerë të madhe.