A e dimë kuptimin e festave të fundvitit?

Momentet e bukura janë ato që ngjyrosin kujtimet në çdo fazë të jetës sonë.

Për ju, prindër, që nuk jeni të sigurt nëse fëmijët tuaj do të jenë të gëzuar me dhuratat që ju i keni zgjedhur për ta, ju siguroj që çfarëdo që do t’u dhuroni, nëse dhurohet me zemër dhe mban brenda elementin e befasisë, do të jetë një dhuratë që do të mbahet mend gjatë në kujtesën e fëmijëve tuaj.

Një mjedis i ngrohtë familjar dhe një rregullim festiv i shtëpisë do të jenë elemente që do ta përforconin shumë atë që ju do të donit të përçonit tek anëtarët e familjes, pra harmoninë dhe lumturinë familjare. Është pikërisht një natë në vit kur fëmijëve u lejohet të tejkalojnë kufijtë e orareve strikte të gjumit dhe të sjelljes standarde të fëmijëve.

Është kjo natë e ndërrimit të viteve, kur prindërit duhet t’i trajtojnë fëmijët jo vetëm si të barabartë, duke mos ua kufizuar “liritë”, por edhe duke i vënë ata në qendrën kryesore të vëmendjes.

Qëndrimi në familje gjatë këtyre ditëve ka një domethënie të jashtëzakonshme. Fëmijët, edukohen me ndjenjën e forcimit të marrëdhënieve familjare. Kjo jo vetëm do të lumturonte ata, por edhe ju, sepse do të shndërroheshit në udhërrëfyes për sjelljen që do të marrin fëmijët tuaj në të ardhmen.

Pas shumë vjetësh, ato që ju u dhuroni fëmijëve tuaj sot, do të shndërrohen në kujtime që do të sjellin buzëqeshjen në fytyrën e tyre sa herë që mendja e kthen kohën pas.

Ndonjëherë lumturia vjen shumë thjesht, madje edhe për ata që janë tepër të pasur. Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Nottinghamit, për t’u ndier më të lumtur na mjafton një çokollatë, një kredhje e gjatë në banjë të ngrohtë, një shëtitje e papritur në park, madje edhe një dremitje gjatë pasdites.
Kjo tregon se janë pikërisht gjërat e thjeshta në jetë që ndikojnë më së shumti në mirëqenien tonë.

Edhe festat e fundvitit janë ai moment që mund të ndikojë më së miri në gjendjen tonë shpirtërore, duke e lartësuar ndjenjën e mirëqenies dhe të kohezionit familjar. Jemi ne ata që vendosim se si do ta përjetojmë këtë moment. /Blic/