E pranon Vuçiq: S’ka BE për Serbinë pa zgjidhjen e ‘nyjës me Kosovën’

0

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pranuar se shteti i tij nuk mund të anëtarësohet në BE pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Bashkimi Evropian ia ka bërë të qartë Serbisë qysh në vitin 2012 se nuk mund të anëtarësohet në BE pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Nuk ka dyshim se pa e zgjidhur “nyjën e Kosovës”, Serbia nuk do të jetë anëtare e BE-së, dhe kjo është mesazhi pa ekuivok i Brukselit”, kështu deklaroi mbrëmë presidenti serb, Aleaksandar Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Serbia assesi nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe se një gjë e tillë shteti serb i ishte bërë e ditur nga BE-ja qysh në vitin 2012.

“Pa e zgjidhur çështjen e Kosovës, dhe nuk e di se si dhe çfarë mendon të propozojë, Serbia nuk mund të jetë anëtare e BE. Askush nga Evropa nuk na gënjeu atje, ata thanë që në takimin e parë në 2012”, deklaroi Vuçiq në “TV Pink”, transmeton më tutje lajmi.net.

Në këtë intervistë, Vuçiq gjithashtu theksoi se nuk është shumë optimist rreth arritjes së marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, por ai theksoi se Serbia duhet të marrë pjesë në bisedime dhe të bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe të gjitha interesat e saja.

Ai ka thënë po ashtu se për shkak të gjendjes politike në Kosovë, pret formimin e qeverisë dhe rikthimin e dialogut.

“Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë rreth qeverisë së tyre. Ne jemi të gatshëm të flasim”, theksoi Vuçiq.