Qendra tregtare “East Gate” një investim kapital prej 350 milionë eurove për të dytën herë është gjetur në listën e kronikës së zezë, për qërim hesapesh mes bandave.
Një incident ndodhi në gusht të këtij viti, ku cak ishte një kriminel i shumëkërkuar me dosje të trashë që jorastësisht sillej vërdallë apo u gjet në këtë qendër tregtare.
Bëhet fjalë për Rade Trajkovski-Shtekli, i cili po në të njejtin vend të krimit ishte sulmuar fillimisht në gusht me armë zjarri, ku fatmirësisht nuk pati të lënduar dhe të vdekur. Fatmirësisht gjithçka kaloi pa ndonjë pasojë apo dëm ndaj njerëzve, familjeve dhe gjithë atyre që dalin aty për shoping dhe për të kaluar kohën.
Ky sulm atëkohë u interpretohet si një mesazh tjetër që nëntoka maqedonase i dërgon njëri-tjetrit.
Dy persona të maskuar, me fantazma në kokë, të armatosur me pistoleta me silenciator dhe automatikë, qëlluan mbi Shteklin në garazhet e nëndheshme të qendrës tregtare. Të shtënat kishin ndodhur pesë minuta para orës 16:00 dhe sulmuesit kishin zbritur nga një makinë Audi A4 me targa të huaja.
Ata qëlluan në drejtim të Shteklit, i cili po largohej nga stërvitja në palestrën që ndodhet në këtë qendër tregtare. Ata qëlluan, por nuk arritën ta plagosnin, pasi jozyrtarisht ishte në një mjet të blinduar. Por siç u tha nga mediat dhe burime pranë MPB-së, ky ishte një mesazh nga nëntoka dhe kundërshtarët.
Automjeti me të cilin udhëtuan sulmuesit është gjetur në flakë pranë liqenit të Tresçës në drejtim të Grçecit. Ministria e Punëve të Brendshme atëkohë dha vetëm informacione të pakta për ngjarjen, duke e heshtur. Po ashtu në heshtje e kaluan edhe menaxhmenti i qendrës tregtare.
Por, incidenti i djeshëm ka qenë më fatal, pasi që ka ndodhur jo në hapësirat e parkingut, por sipas pamjeve të publikuara, ka ndodhur pikërisht në pjesën më të frekuentuar tek ashensorët që çojnë tek parkingjet e nëndheshme.
Aty rreth orës 15.00, një person me një kapelë dhe bluzë të bardhë ka shtënë në drejtim të Rade Trajkovskit – Shteklit, që ishte cak për së dyti herë, i cili ishte i shoqëruar nga 23 vjeçari me inicialet D.T nga Shkupi. Sulmi sipas pamjeve ka ndodhur në shkallët e ashensorit, kur personi i armatosur i ka ndjekur nga pas dhe i ka gjuatur nga një pozicion tjetër, duke i plagosur rëndë, por që sipas raportimeve të fundit janë jashtë rrezikut për jetë.
Ish-kryeshefi i MPB-së, Lubomir Gjurçevski në një prononcim për portalin “Lokalno” shpreh dyshime se përse Shtekli apo caku i bandës oponente shpesh sillej në East Gate, çfarë po bënte aty. Ai thotë se është i shqetësuar për shkak se të shtënat kanë ndodhur në këtë vend publik, ku ka numër të madh të vizitorëve.
“Kjo më shqetëson sepse nuk zgjedhet vend dhe kohë për qërim hesapesh mes grupeve. Mos dhashtë zoti që të kishte viktima nga kalimtarët. Jam i shqetësuar nga ajo që po ndodhë në planin e sigurisë dhe se MPB duhet të mbulojë këto vende publike siç janë qendrat tregtare”, thotë Gjurçevski.
Me rastin e sulmit në “East Gate”, Stekli është lidhur menjëherë me hetimin e vrasjes së futbollistit të ri Martin Janushev, e cila ka ndodhur në vitin 2017 në “Red Cafe” në rrugën Vladimir Komarov, në lagjen Aerodrom të Shkupit. Por, ky sulm është lidhur edhe vrasje të grupeve të tjera në Shkup, pasi që ditë më parë ishte publikuar një porosi ndaj tij përmes tik-tokut.
Pas incidentit të armatosur gjatë pasdites së sotme, nga Qendra Tregtare “East Gate Mall” dje dolën me një njoftim rrufe duke informuar se incidenti ka ndodhur në ambientet nëntokësore të objektit dhe ka qenë i izoluar, ndërsa më tej shtonin se se puna vazhdon në mënyrë normale dhe se objekti punon normalisht deri në orën 22:00. MPB pritet të dal me hollësi për incidentin e frikshëm. (INA)