Edhe Lufthansa dhe Aegean Airlines me fluturime të lira nga Maqedonia e Veriut

“Wizzair”, “Lufthansa” dhe “Aegean Airlines” janë tri kompanitë ajrore që do të ofrojnë destinacione të reja dhe të lira, që subvencionohen nga shteti, përcjell INA.

Për fluturime më të shpeshta e të lira si dhe linja direkte drejt aeroporteve kryesore, qeveria vendosi të japë ndihmë shtetërore për disa kompani, jo vetëm një, si deri tani vetëm për Wizzair.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve theksoi se javën e ardhshme do të bëhet vlerësimi i ofertave të dorëzuara, pas së cilës do të bëhet e ditur nëse të treja do të marrin ndihmë shtetërore.

Të zgjedhurit do të marrin 7 euro për një pasagjer të transportuar nga Aeroporti i Shkupit dhe 4,5 euro nga ai i Ohrit.

Mbështetjen do ta shfrytëzojnë për 3 vite, për të cilën janë ndarë 5 milionë euro dhe vetëm për këtë vit 1.1 milionë euro. (INA)