“Edhe sa do të zgjasë pandemia?”, eksperti Erion Dasho analizon situatën e koronavirusit në vend dhe bën publike faktet e rëndësishme

0

Mjeku Erion Dasho teksa shprehet i bindur se koronavirusi nuk është një grip i zakonshëm vë theksin edhe tek fakti që të rinjtë mund të pësojnë komplikime të sëmundjes dhe të humbin jetën. Sipas tij sot vdekshmëria prej Covid-19 vlerësohet rreth 0.5%.

Në një postim në rrjetet sociale, eksperti i Shëndetit Publik, bën thirrje për ushqyerje dhe jetë të shëndetshme, me aktivitet fizik dhe kalim të kohës në ambiente të hapura.

Pyetjes së çfarë do të ndodhë në të ardhmen, mjeku Dasho thotë se “askush nuk është Nostradamus, por me sa duket epidemia do të vazhdojë për muaj, për të mos thënë vite të tërë”.

Postimi i plotë:

“Këtij postimi të datës 16 Mars 2020 do t’i bëja sot shumë pak korrigjime. P.sh. vdekshmëria sot vlerësohet rreth 0.5% dhe ndoshta kjo shifër do të rezultojë edhe më e ulët se kaq.

Sigurisht, nuk mund të parashikoja në atë kohë se autoritetet tona shëndetësore nuk do të arrinin të ndërtonin një përgjigje adekuate ndaj COVID dhe kjo është zhgënjyese.

Por, këshillave për ushqyerje të shëndetshme, aktivitet fizik (sidomos not dhe ecje në mal) dhe kalimit të kohës në mjedise të hapura nuk u heq asnjë presje.

NUK ËSHTË GRIP

Në fillim të epidemisë së koronavirusit, pati ide të tipit “Ky është një grip i zakonshëm”, “Do të kalojë pa problem”, etj. Sot dihet me siguri që nuk është.

Së pari, ndonëse të moshuarit dhe personat e sëmurë janë ata që rrezikojnë më tepër, edhe të rinjtë mund të pësojnë komplikime të sëmundjes dhe të humbin jetën. Shkalla kombinuar e vdekshmërisë vlerësohet në 1%, shumë më e lartë se vdekshmëria nga epidemitë e gripit sezonal dhe e krahasueshme me epidemitë e Gripit Spanjoll apo Gripit të Hong-Kongut.

Së dyti, sëmundja ka një shkallë të lartë transmetimi, ku llogaritet se një person i sëmurë mund të infektojë mesatarisht dy deri në tre persona të tjerë. Fatkeqësisht kjo ndodh edhe kur personi i prekur nuk ka simptoma, pra në pamje është i shëndetshëm.

Ne, si shqiptarë, deri tani jemi relativisht të mbrojtur, sepse janë marrë masa ekstreme, por shumë të dobishme dhe në kohën e duhur. Karantina, eliminimi i kontakteve të panevojshme sociale dhe profesionale, si dhe masat e higjienës personale (larja e duarve mbi të gjitha) duket se po japin efekte pozitive. Në dhjetë vitet e fundit është përmirësuar ndjeshëm edhe shërbimi i urgjencës mjeksore, i cili u bë një nga shtyllat e përgjigjes ndaj koronavirusit dhe po reagon po aq profesionalisht sa edhe shërbimet e ngjashme në çdo vend tjetër europian.