Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, uroi republikanin Donald Trump për fitoren në garën presidenciale në SHBA, një fitore që ende nuk është e konfirmuar.
“Urime Donald Trump për fitoren tuaj. Së bashku, përballemi me sfidat serioze që kemi përpara. Serbia është e angazhuar të punojë me SHBA-në për stabilitet, rritje dhe paqe“, shkroi Vuçiç në X.
Edhe pse fitorja e Trumpit ende nuk është konfirmuar, ai duket të jetë pranë fitores pasi ka siguruar shtetet kyçe si Pensilvania dhe Karolina e Veriut dhe ka avantazh në katër të tjera, sipas sondazhit të Edison Research.
Vetë Trump e shpalli fitoren në një fjalim të mbajtur përpara mbështetësve të tij në Florida.
Fitoren e Trumpit e mirëpriti edhe presidenti prorus i Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili është në listën e zezë të SHBA-së.
“Një nga fitoret më të rëndësishme elektorale në historinë e fundit të SHBA-së, por edhe të botës”, shkroi Dodik në X.
Gjatë viteve që administrata amerikane është udhëhequr nga presidenti demokrat Joe Biden, Serbia dhe liderët e saj politikë kanë vazhduar të mbajnë marrëdhënie të ngushta me ish të dërguarin amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell.
Presidenti i Serbisë i dorëzoi atij një dekoratë shtetërore në tetor të vitit 2023 dhe me atë rast vlerësoi se roli i Grenellit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës “jo vetëm që ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin rajonal, por ka luajtur edhe një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes SHBA-së dhe Serbisë”.
Grenell është ende aktiv në fushatën presidenciale të Trumpit.