Edi Rama mesazh LSI: Parazitët nuk kanë më vend në administratë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar dje Lëvizjen Socialiste për Integrim se fatin e Dashamir Xhikës do të kenë gjithë zyrtarët dhe drejtorët që kanë abuzuar me fondet e shtetit. Teksa ishte i pranishëm në Konferencën Kombëtare për Reformimin e Shërbimeve Administrative, kreu i qeverisë deklaroi se të gjithë punonjësit e korruptuar të administratës dhe ata që torturojnë qytetarët, jo vetëm që nuk do të kenë më vend në administratë, por sipas tij, do të përballen me drejtësinë. Dhe për këtë, Rama iu referua denoncimeve të qytetarëve, në sajë të së cilëve plot 35 punonjës hipotekash janë para prokurorisë. Madje, Rama iu kërkoi punonjësve të administratës, duke i quajtur ata parazitë dhe grabitqarë, se duhet të ruhen nga qytetarët e pafuqishëm, pasi nga një denoncim i tyre mund të jenë të ‘vdekur’ dhe nuk mund të rikthehen më kurrë në karrigen e pushtetit. “Ruhuni dhe nga qytetarët e pafuqishëm. Je i vdekur, je i mbaruar, nuk të mban më në karrige asgjë, nuk ka kushëri që të mban më aty. Sot kemi 35 punonjës hipotekash që janë në derën e prokurorisë. Nuk i ka dërguar auditi, por i ka dërguar ai numër qytetarësh që kanë reaguar, kanë ngritur krye e nuk kanë pranuar më të zvarriten, por që kanë marrë ato tre minuta, tek shqiperiaqeduam.al kanë denoncuar rastin. Ama është hetuar se kush ua ka penguar me vite dhe të gjithë ata që e kanë penguar janë larguar nga detyra e janë për hetim. Ta provojnë ata, pse e kanë penguar. E kanë penguar se janë parazitë, apo se janë grabitqarë. Në të dyja rastet, qofshin grabitqarë, qofshin parazitë, shtetit dhe administratës nuk i duhen. Në rastin kur janë thjesht parazitë, le të vazhdojnë të kërkojnë të ndërtojnë jetën e tyre jashtë dyerve të shtetit. Kur janë grabitqarë, le të shkojnë aty ku e kanë vendin. Këtë e provon prokuroria dhe gjykata”, deklaroi ai.

Lufta ndaj korrupsionit

Duke u ndalur për një moment tek prioritetet e qeverisë që ai drejton, kryeministri Edi Rama e cilësoi reformën në drejtësi dhe vetingun si ilaçin e duhur për t’i dhënë fund korrupsionit në nivel të lartë. Dhe për këtë, Rama paralajmëroi të gjithë punonjësit e korruptuar se do të përballen me një betejë të ashpër dhëmbë për dhëmbë me qeverinë. “Reforma në drejtësi dhe vetingu janë ilaçi i duhur për korrupsionin e lartë, edhe vetingu. Kemi dhe korrupsionin e gjithëpërhapur, që është tipik për vendet në zhvillim dhe që nuk e gjen në vendet e zhvilluara, ku korrupsioni i lartë është prezent kudo. Arsyeja themelore ka qenë sjellja e administratës në raport me qytetarin, me sipërmarrësin. Për një muaj e konstatuam këtë qartësisht. Ky problem ishte i kudondodhur, dhuna, presioni, tortura e parazitëve dhe grabitqarëve të shtetit ndaj qytetarit. Kjo për ne është një betejë për jetë a vdekje. Është një betejë dhëmbë për dhëmbë dhe një betejë me armikun publik numër 1, sot, të qytetarit dhe të sipërmarrjes shqiptare, që është paraziti dhe grabitqari në zyrën e shërbimit përkatës administrativ”, u shpreh ai.

Operacioni “antitepsi”

Duke u ndalur tek shkurtimi i burokracive gjatë këtyre 4 muajve qeverisje, i pari i qeverisë deklaroi se u mbyll me sukses faza e parë e asaj, që ai e quan “Operacioni anti-tepsi”. Madje, Rama theksoi se objektivi i qeverisë së tij është çuarja e tepsisë për skrap. “ Ne shkurtojmë 1360 vjet pritje në një vit të vetëm. Është një operacion anti-tepsi në kuadër të objektivit strategjik të këtij mandati, për ta çuar tepsinë për skrap, sepse shumëkush që vazhdon dhe kërkon një punë shteti, nuk e kërkon për t’i shërbyer shtetit, por e kërkon me idenë e rehatisë dhe mundësisë për të zgjatur duart në drejtim të xhepit të qytetarëve dhe sipërmarrjes”, nënvizoi kryeministri Edi Rama./Rigels SELIMAN