shkruan: Lulzim Nasufi
Në një kohë kur qyteti i Strugës, si pasojë e migrimit masiv dhe mosfunksionimit institucional dhe administrativ, po përballet me rënie të vazhdueshme të popullsisë, rënie ekonomike, kaos infrastrukturor dhe ulje të numrit efektiv të turistëve, pamja urbane e qytetit po bëhet gjithnjë e më e zymtë.
Si mund të ndalet kjo atmosferë? Ku duhet ndërhyrë përballë mungesës së një vizioni për zhvillim ekonomik? Çfarë ka bërë dhe çfarë po bën bota?
Një nga ndërhyrjet që ka sjellë dhe vazhdon të sjellë efekte pozitive ekonomike në vende të ndryshme të botës – përfshirë edhe Shqipërinë – është Efekti Bilbao. Ky efekt i referohet investimeve në vepra arkitektonike dhe kulturore që ndikojnë drejtpërdrejt në transformimin urban të një qyteti, përmes rritjes së numrit të vizitorëve.
Struga disponon një numër të madh hapësirash përgjatë bregut të liqenit, të përshtatshme për ndërtimin e veprave arkitektonike dhe kulturore nga ndonjë arkitekt i njohur i kohës, si p.sh. Frank Gehry, ose ndonjë tjetër. Në rast se nuk ka hapësira të mjaftueshme brenda qytetit për objekte kulturore, ekonomike apo shkencore me sipërfaqe të madhe, atëherë riorganizimi dhe funksionalizimi i hapësirave publike të gjelbërta përgjatë Liqenit të Ohrit – nga lumi Sateska deri në fshatin Radozhdë – në përputhje me rekomandimet e UNESCO-s, mbetet alternativa më e mundshme.
Përmes rimodelimit të hapësirës urbane, duke investuar në kulturë dhe arkitekturë, Struga mund të vendoset në hartën globale të turizmit. Me një sistem modern transporti, ajo mund të rikthejë turistët dhe të rilind ekonomikisht.