Ekskluzive/ Dosja e Hagës. Ja akuzat për Thaçin, Veselin dhe kupolën e UÇK

0

Ngritja e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe disa prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK , nga prokurori special më 24 Qershor 2020 , tronditi edhe njëherë tjetër të gjithë Kosovën.

Nga momenti bërjes publike të akuzave e deri më sot, janë ngritur shumë pyetje se çfarë provash kanë siguruar prokurorët special? Kush janë episodet e dyshuara se janë konsumuar krime lufte?

Cili është numri që humbën jetën në paraburgimet e UÇK -s përfshi personat e ekzekutuar dhe më kryesorja cilët janë dëshmitarët e kësaj dosje të Hagës.

Të gjitha këtyre pyetjeve duke nisur nga sot e ditët në vazhdim do ti japë përgjigje ekskluzivisht Top-Channel gazetari Muhamed Veliu. Nga një burim në prokurorinë speciale në Hagë, ne disponojmë dosjen e plotë me mbishkrimin kofidenciale, e cila ka mbi 260 faqe. Kjo dosje është baza e ndërtimit të aktakuzës nga prokurori special.

Top Channel nuk do të publikojë asnjë emër apo detaj që identifikon, dëshmitarët e prokurorisë speciale, të përmendur në këtë dosje.

Kjo Dosje e Hagës ka përfunduar së përpiluari në Dhjetor 2019 dhe është një përmbledhje ekzekutive të rrethanave për krimet e dyshuara.

Prokurorët thonë se dy ishin kategoritë e personave të shënjestruar në mënyrë agresive nga UÇK e si pasojë prodhuan 87 viktima.

Kapitulli i parë ndalet në krimet e prodhuara si pasojë e torturës dhe trajtimit çnjerëzor të atyre që UÇK i kishte shpallur si bashkëpunëtor të Serbisë apo tradhtarë, ku përfshihen edhe njerëzit e LDK-s me qasje kundra çlirimit me armë të Kosovës.

Ky kapitull ndalet edhe në rrolin e ndalimit arbitrar dhe kushte jo humane të tyre në paraburgime në disa zona bastione të UÇK -s.

Më pas renditen disa vrasje jashtë këtyre paraburgimeve ndodhur në zonën e maleve të Berishës.

Dhënia e dënimit të padrejtë e më pas ekzekutimi përfshi persekutimi janë pjesë e aktakuzës.

Në kapitullin dy, titulluar qëllimi i përbashkët, më nëntitull “ishte një qëllim i përbashkët vënia nën kontroll e Kosovës” në plot 33 faqe prokurorët shpjegojnë krijimin e UÇK dhe përplasjen e fortë me LDK-n, nga kupola themeluese e UÇK .

“Përgatitjet dhe zbatimi qëllimit të përbashkët” titullohet kapitulli i tretë në këtë dosje të Hagës.

Në faqen e parë të kësaj dosje radhiten provat për të themeluar përgjegjësitë e nivelit të lartë drejtues të UÇK , për krime të ndodhura në disa pika paraburgimi gjatë periudhës kohore 1998/1999.

Nga analiza e provave të mbledhura, prokurorët special thonë se potencialisht mund të akuzojnë 5 persona të cilët janë.

Azem Syla, Hashim Thaci, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Në faqen tre të dosjes prokurorët nisin të sqarojnë atë që e quajnë Lidhja kriminale e përgjegjësisë, megjithatë nënvizojnë se me gjasë do të duhet një analizë e mëtejshme.

“Në mënyrë relative ka prova të limituara për pjesëmarrje direkte për ata që mund potencialisht të akuzohen për krime si dhe ato prova për pjesëmarrje që ekzistojnë, nuk janë domosdoshmërish të lidhura me krime që heton Prokuroria Speciale ne mënyrë që të ngrejë akuzat”. thuhet në dosje.

Megjithatë paçka se vetë prokurorët e pranojnë se kanë prova të limituara ata këmngulin se të akuzuarit do ta kenë të vështirë të mohojnë mospasjen dijeni për vendet e paraburgimit.

Prokurorët theksojnë se provat që kanë demonstrojnë, se shumica e paraburgimeve ishin diçka qendrore e strukturave të UÇK dhe njëkohësisht baza të forta të kësaj ushtrije, në zonat e Llapashticës dhe Likocit përfshi Drenocin e Jabllanicën.

Të gjithë të akuzuarit thonë prokurorët, janë pjesa udhëheqëse e hierarkisë së UÇK dhe këto krime mund ti faturohen edhe personave të tjerë si Rustem Mustafa, Lahi Brahimaj dhe Sylejman Selimi të dënuar më parë për krime lufte. Për Xhavit Halitin dhe Sabit Gecin kërkojnë krijimin e dosjeve të veçanta për të parë mundësinë e fajësisë së tyre.

Prokurorët në faqen 5 të dosjes, flasim për tortura dhe atë që e përshkruajnë si trajtim çnjerëzor të atyre që UÇK publikisht i konsideronte tradhtar dhe bashkëpunëtor të Serbisë, duke theksuar se përtej dyshimit të arsyeshëm, ka prova se ushtarët e UÇK kanë konsumuar krime përmes torturës dhe trajtimit çnjerëzor.