Eksperti i Këshillit për Politikë dhe Demokraci (DPC), Toby Vogel, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë, pengesat në rrugën drejt integrimit evropian dhe dinamikat e dialogut me Serbinë.
Vogel theksoi se periudha e gjatë pa qeveri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 ka qenë sfiduese, por institucionet e Kosovës kanë arritur të ruajnë funksionalitetin e tyre. Ai vlerësoi kthimin e përfaqësuesve serbë në institucionet komunale në veri si një hap pozitiv për stabilitetin institucional.
Sipas tij, pengesat kryesore për integrimin evropian të Kosovës nuk vijnë nga vetë vendi, por nga Bashkimi Evropian, për shkak të pesë shteteve që ende nuk e njohin pavarësinë e saj dhe për shkak të politikës së njëanshme ndaj Serbisë.
“BE-ja është aq e fiksuar pas Vuçiqit, sa nuk dëshiron të shpenzojë asnjë kapital politik për ta çuar Kosovën përpara,” – tha Vogel, duke shtuar se Brukseli dhe kryeqytetet evropiane po shmangin çdo përpjekje për zgjidhje reale.
Eksperti theksoi gjithashtu se Kosova ka ende shumë për të bërë në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, por kjo është një sfidë e përbashkët për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në fund, Vogel shprehu skepticizëm për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, derisa BE-ja të ndryshojë qasjen e saj ndaj Beogradit.
“Për sa kohë që Brukseli mbron Vuçiqin dhe refuzon të ushtrojë presion mbi të, dialogu nuk do të prodhojë asnjë rezultat përfundimtar. Ai mund të mbetet vetëm një mjet për menaxhimin e krizave, jo për njohjen e pavarësisë së Kosovës,” – përfundoi ai.