Ekspozita për Çamërinë te Presidenca, ‘shpërthejnë’ mediat greke: Provokim!

Akuza të shumta kanë qarkulluar mëngjesin e sotëm nga mediat greke ndaj presidentit Ilir Meta, në lidhje me ekspozitën përkujtimore të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, e cila është ekspozuar në kangjellat e presidencës në Tiranë.

Mediat greke shkruajnë se reagimi i Greqisë ndaj Presidencës së Republikës së Shqipërisë është intensiv dhe lidhet me “ekspozitën” provokuese ku prezantohen foto dhe harta me objekte të të ashtuquajturit “gjenocidi i Camëve”, por edhe “pushtimi i territoreve shqiptare nga Greqia”.

“Sipas burimeve diplomatike, ambasada greke në Tiranë ka zhvilluar një protestë të fortë dhe ka kërkuar menjëherë shpjegime nga zyra e presidentit Ilir Meta, lidhur me raportin në fjalë.

Vihet re se presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka bërë një xhiro në ekspozitë, së bashku me organizatorët.

Fotot, të cilat janë postuar në gardhin e jashtëm të pallatit presidencial shqiptar, shoqërohen me akuza ndaj Greqisë për “gjenocid ndaj Çamëve”, si dhe me harta që tregojnë pjesën më të madhe të Greqisë si “territore të pushtuara shqiptare”.

Sipas himara.gr, ekspozita u organizua nga Fondacioni “Çamëria Hasan Tahsini” dhe Akademia “Rrënjët Shqiptare”, në bashkëpunim me ekspozitën “Vështrim historik etnokulturor i Pellazgjisë – Epirit – Thesprotit– Çamërisë”, shkruan Protothema.