Elegji për Rrustem Flamurin

0

(Djalin besnik të Kosovës, në 20 vjetorin e vdekjes)

Shkruan: Xhafer SHATRI/

Në vitet 70-të u hapën rrugët e mërgimit si asnjëherë më parë. Gjermania, Zvicra e Austria ishin vendet me më se shumti “punëtorë të përkohshëm“ nga Kosova. Përqëndrimi i tyre shpeshherë ishte krahinor, për arsye se mërgimtarët e rinj gjithnjë shkonin atje ku kishin të njohur. Ani se fjala ishte për të rinj që vinin kryesisht nga mjediset rurale, megjithatë, kjo gjeneratë mërgimtarësh ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm zhvillimor e social në Kosovë:
– ka kontribuar në ringjalljen e ekonomive familjare;
– ka sjellur në familje e në vendlindje përvoja përendimore të të menduarit dhe të të vepruarit, sidomos përvojën e funksionimit të shteteve demokratike;
– ka kontribuar në integrimin brendashqiptar, në ndërtimin e një kohezioni të qëndrueshëm, sepse mërgimtarët ishin në kontakt të përditshëm me bashkëkombas të të gjitha krahinave të banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi…, ndërkaq përmes radio Tiranës po edhe në forma të tjera kanë komunikuar shumë më shlirshëm edhe me Shqipërinë…

Mirëpo pas vitit 1981, “kur u çu’ Kosova në këmbë“, në jetën e mërgimtarëve ndodhi një ndryshim që kurrë nuk e kishin imagjinuar. Shtypja e egër e trazirave studentore, fjalori i ashpër politik dhe gjuha agresive serbomadhe nxori në sipërfaqe te shumica dërrmuese e tyre një revoltë që bëhej gjithnjë e më e zëshme. Ishte një vetëdijësim i shpejtë që, falë qerthujve të grupeve ilegale që posa kishin filluar të vepronin edhe në mërgim, me kohën u kristalizua në një Lëvizje të fuqishme politike me ndikim të madh kudo që kishte shqiptarë në ish-Jugosllavi.
Në ballë dhe në thelb të kësaj Lëvizjeje qëndronin vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka.
1.
Mobilizimi i parë e i hapur politik ishte mbështetja e protestave studentore në Kosovë. Në këtë funksion u organizua manifestimi i parë mbështetës, me 11 prill 1981 në Bernë. Ani se në të merrnin pjesë një numër i kufizuar, megjithatë territorialisht ishin shumëpërfshirës. Sepse kishte pjesëmarrës nga të gjitha qytetet ku kishte veprimtarë të dalluar ose qerthuj politik të organizuar: Zurich, Stutgart, Dyseldorf, Gjenevë, Bernë etj., që për vite ishin dhe mbetën bërthamat e një qëndrese shumëvjeçare.
Demonstratat vazhduan dhe u bënë një formë efikase e mobilizimit të njerëzve dhe nuk u ndalën deri në çlirimin e Kosovës. Në thelb të çdo manifestimi në mërgim ishte dhe mbeti fjalia jetike: NE JEMI ME KOSOVËN! NE JEMI TË KOSOVËS!
Krahas manifestimeve publike, bëhej edhe një luftë tjetër: marrja nga brenda ose edhe shkatërrimi i klubeve që i kontrollonin amabasadat dhe konsullatat jugosllave. Në këtë mënyrë Lëvizja Kombëtare e Kosovës arrijti t’i ketë klubet e saj në Dyseldorf, Cyrih, Shtutgart, Gjenevë, Byl, Llozanë, Bruksel etj.
Kjo ishte forma e parë e formimit të një opozite të hapur legale që shumë mërgimtarëve u kushtoi shtrenjtë, sepse u rrezikuan dhe shumë prej tyre, gati dy dekada, nuk mundën të kthehen në vendlindje. Në valën e parë të këtij procesi të dhimbshëm u dalluan dhe u rrezikuan seriozisht rreth njëqind aktivistë të të gjitha krahinave shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme.
Njëri prej tyre ishte personazhi i këtij shkrimi, Rrustem Mahmutaj, nga Lybeniqi i Deçanit.

Të gjithë e njihnin me emrin Rrustë dhe dallohej nga të gjithë, sepse në të gjitha demonstratat, që nga e para, ai ishte gjithëmonë në ballë, i veshur me tesha kombëtare dhe me Flamurin e madh, ngjizur në një shtizë të gjatë 4 metra. Gjithnjë vinte në demonstratë i pari dhe kthehej i fundit! Me të gjithë, papërjashtim, sillej si vëlla dhe me çdonjërin ndante çdo gjë që kishte.
Rrustemi kishte lindur jetim, më 15 janar 1952, sepse i ati i kishte vdekur disa javë para se ky të vinte në jetë.
Posa e kreu ushtrinë, Rrusta doli jashtë, fillimisht në Holandë, më 1973 dhe pas 5 vitesh, nga atdheu i luleve, erdhi dhe u vendos në kryeqytetin e Zvicrës, në Bernë.
Më 17 janar 1982, jo vetëm jeta e Rrustem Mahmutajt, merr një kahje të dhimbshme, sepse atë ditë, në Untergrubenbach, afër Stutgartit, Udba vrau prijësit e Lëvizjes Kombëtare Kadri Zekën dhe vëllezërit Gërvalla. Ky ishte një grusht i tmershëm për Lëvizjen dhe për çdo pjesëtar të saj që Jusufin, Kadriun e Bardhoshin i njihte personalisht. Kjo vrasje për Rrustën ishte dyfish e dhimbshme, sepse Gërvallajt ai i kishte dajë.

2.

Të jesh gjithnjë i gatshëm për çdo kërkesë të Lëvizjes duhej të kishe shumë energji, shumë vullnet, duhej të privoheshe nga shumë gëzime familjare, duhej t’i harxhoje kursimet në një fushë krejt tjetër, duhej ta rrezikoje në vazhdimësi vendin e punës…, duhej t’i hapshe vetit dhe familjes telashe të mëdha me njërin prej shteteve më të fuqishëm të asaj kohe në Evropë…
Rrusta, në prag demonstratash, por edhe kur e merrte malli, shkonte nëpër klubet shqiptare dhe rrinte me shokë të vjetër, ku i përgatisnin bashkë banderolat, këndonin, bisedonin e qanin hallet deri në mëngjes…

Në këso rastesh, më shumë se asnjëherë tjetër malli i mbledhur me vite për familjen e vendlindjen e ndaluar te sëcili shpërthente vetëvetiu dhe në trajtat më të dhimbshme:

“M’ka marrë malli me shku n’Lybeniq, me e pa një plakë që prej vitesh m’prêt në votër, me e marrë ngryk e mja gëzu zemrën… E di që ajo orë e çast flet me mu’ edhe kur u qet pulave, edhe kur i mjel lop’t, edhe kur shkon n’arë e sidomos kur e shtron bukën dhe zemra i qanë për dikë që nuk është ulë kaherë në atë sofër…
Ashtë një kru’ n’Lybeniq, kroni i Mahmutaj i thonë, në krejt Kosovën nuk ka asi kroni. Është një damar uji që vjen drejt nga bjeshka, i ftohtë akull por edhe dyqysh i amël. Me qat ujë jam rritë e jam fresku… Aty pari këndojnë zojt si askund tjetër në botë. Ndërsa kur kositen livadhet dhe korret gruni tan natën këndojnë gjinkallat. Kënga e tyre m’bojke me pa andrra me sy çelë. Shpesh më merr malli për kangën e tyne…
Qe besa, m’ka marrë malli edhe me u ngjitë bjeshkës përpjetë e me i ndi kumontë e dhene dhe kur ia thotë kangës qyqja dikund në shpat… Kryq e tërthur i kam ra Evrop’s, por nuk ka vend ma të bukur se Kosova…“

3.

Në prill të vitit 1982, organizohej një demonstratë në Vjenë. Kur shkuan demonstruesit atje, policia e tërhoqi disi lejën duke u arsyetuar se paskeshin ardhur nga Beogradi dy autobus me njerëz për t’ju kundërvënë demonstratës së mërgimtarëve shqiptarë… Rrusta fliste mirë gjermanishtën dhe u tha: “Ne s’kemi problem me askënd e as me ata që po thuani se tek janë kësajde. Por na po ecim rrugës dhe s’po bëjmë zë…“ Pa e zgjatë më tepër, Rrusta u nis i pari e të tjerët pas tij. Pas nja 50 metrash Rrusta e hapi Flamurin dhe shpërthyen brohoritjet: “Kosova – Republikë!“, “Jemi shqiptarë e jo jugosllav“, “Ne jemi me studentët!“ , “Ne jemi me Kosovën“…
Policia s’kishte rrugë tjetër, veçse të siguronte manifestimin, duke i hapur rrugën kolonës së zhurmshme.
Nuk përfundoj me kaq, sepse disa provokatorë serbë që përpiqeshin të fotografojnë manifestuesit, hëngrën dajak dhe mbetën pa aparatët e tyre…

Ishte fundi i tetorit të vitit 1983. Lëvizja kishte thirrë një demonstratë para selisë së Këshillit të Evropës në Strasbourg. Ani se ditë pune, megjithatë pritej se do të ketë shumë pjesëmarrës nga të gjitha shtetet evropianopërndimore ku kishte shqiptarë. Mirëpo, si duket, jugosllavët i kishin telefonuar doganës franceze afër Bazelit, ku po shkonin disa autobusë me demonstrues, duke i alarmuar se ka njerëz të armatosur në autobus… Kontrolli ishte rigoroz, njërit ia kishin gjetur një pistoletë me gaz, e kishin zbritur dhe arrestuar. Dhe pastaj i kishin bllokuar autobusët, me arsyetimin se brenda kishte material propagandistik.

I pari nga autobusi zbriti Rrustem Mahmutaj, Flamurtari i të gjitha demonstratave, dhe ua dorëzoi pasaportin policëve kufitarë… Priti pak se po ia kthejnë për të vazhduar më tej. Por jo, atëherë ai, ashtu me këmbën në gips, siç e kishte, e kaloi kufirin dhe pas 20 metrash e hapi Flamurin… Ec e priti të tjerët pastaj…

200 jugosllav me banim në Zvicër, kalojnë kufirin me trazira

Rreth 200 shtetas të Jugosllavisë, të pakicës shqiptare që jetojnë në Zvicër, të cilët me autobusë po shkonin në manifestimin e Lëvizjes për Republikën Shqiptare në Jugosllavi, para Këshillit të Evropës në Strasburg, e kaluan kufirin përmes trazirash, në pikën doganore Luis-Bâle-Lysbuchel. Kontrolli i policisë konstatoi se ata bartnin material propagandistik, importimi i të cilit ështe i kundërligjshëm. Ata nuk shkonin në Strasburg për turizëm. Por donin të mbështesnin para këtij institucioni evropian kërkesat politike të pakicës shqiptare të Kosovës, e cila, sipas zëdhënësit të Lëvizjes, ishte viktimë e shtypjes siociokulturore nga regjimi i Beogradit.
Gjatë kontrollit policia gjeti te njëri një pistoletë të vogël dhe e arrestoi atë. Autobusët mbetën të bllokuar në doganë, ndërsa udhëtarët, sipas policisë, të cytur nga disa prijës, i hapën banderolat dhe u nisën këmbë drejt Strasburgut, pa ua varë fare katër policve që përpiqeshin t’i ndalin…
Ata defiluan në arterien kryesore të St Luis, në drejtim të Stacionit të Trenit dhe u futën në tren. Meqë ata nuk kishin bileta, sepse udhëtimin e kishin paraparë me autobus, u bllokua treni. Por u gjet një kompromis i pranushëm për të dy palët dhe treni u nis me një vonesë prej 53 minutash, por manifestuesit arritën në Srasburg…“
Gazeta “L’Alsace“, 29 tetor 1983

4.

I pyeta bukur do shokë të moçëm se çfarë mesazhi do të dëshironin të përçonin në këtë përvjetor zije për shokun e vëllaun tonë, Rrustë Flamurin… Po i rëndis në vijim si tufë lulesh për varrin e tij që pret të udhëtojë nga Shqipëria dhe të prehet përgjithmonë në Kosovën e lirë:

Ai ishte atdhetar i flaktë;
Ai në asnjë përvjetor të rënies së shokëve nuk ka munguar varrezat e Stutgartit;
Ai ka ndarë çdo gjë me ne;
Atë e merrte malli shumë për vendlindjen dhe kur fliste për Lybeniqin i dridhej buza e i shkëlqenin sytë;
Ai në të gjitha tubimet dilte në skenë dhe kendonte këngë patriotike e recitonte poezi;
Ai e dinte përmendësh gati krejt Lahutën e Malcisë;
Ai vinte në çdo klub shqiptar, gjithandej Evropës dhe na dhuronte fotografi të heronjve të Kosovës në korniza të bukura të stolisura me maje brisku;
Klubet shqiptare ishin shtëpia, ndërsa Lëvizja familja e tij;
Ai shumë fëmijëve në mërgim, në shenjë dashurie e kujtimi, u ka dhuruar shqiponja të praruara;
Ai në çdo kohë ishte i gatshëm të bëjë çdo sakrificë për Kosovën, edhe të vdesë për të…
Si guxon Kosova e lirë me e harru Rrustë Flamurin që ka bërë aq shumë për të…?
Më 11 prill 1981,u takuam me të në Stacion të Trenit, në Bernë,ishte veshur me tesha kombëtare. Kah po shkoni kështu, na pyeti me shejtanllëk. Po shkojmë në një dasmë iu përgjigjëm ne, pak si me mjegull… A po me merrni me veti, na pyeti, duke na e rrudhur syrin. Qesi krushqish po lypim, iu përgjegjem. Bashkë, deri në liri, na tha, dhe u nisëm…
Kur në pranverë të vitit 1998, u nisa për në luftë, shkova ta takoj. I shkëlqyen sytë kur më tha: Mos t’isha qysh jam, kurrë vetun nuk të kisha lanë!

5.

Në fundvitet tetëdhjetë Rrustë Flamurit ia mujti sëmundja, por megjithatë ai u martua dhe krijoi familje. Gruaja e tij, Sabrija, gjatë gjithë kalvarit u kujdes për të me shumë përkushtim. Fati i gëzoi me dy fëmijë të mrekullueshëm, dy binake, që edhe me emër u bënë kuptimi i jetës së familjes: Shqipja dhe Liria! Ato tashmë janë rritur, po krijojnë familje dhe Rrustem Flamuri do të vazhdojë të jetojë përmes nipave e mbesave.

Megjithatë, vdekja, shpeshherë, është shumë e padrejtë. E tillë ishte edhe me Rrustën: ajo e mori shpejtë e pabesisht më 30 maj 1999, vetëm dy javë para çlirimit. E mori kur nuk duhej,në prag të Lirisë.

Gjithnjë me dhemb shpirti pse disa njerëz, në mesin e tyre edhe Rrusta, nuk patën fatin ta shohin Serbinë duke ikur nga Kosova për adalet e me bisht mes këmbësh.

Sepse askush më shumë se Rrustë Flamuri, nuk e ka merituar ta shohë Kosovën e lirë!

6.

Kur malli e dhimbja e shtrinin për tokë u rrëfehej shokëve të ngushtë:

“Kur dal në qytet, në Bernë, dhe e di se Zijah Shemsiun nuk do të mund ta takoj më kurrë me e ba një ndejë me të, më errën sytë dhe, ndashta po koritna që po flas, por i tham tokës, hapu e shtim mrena… Fort o konë Shoq i mirë Zijahu, e ka dashtë Kosovën me loçkë të zemrës.

Kaniherë kam qef me dalë n’mal, me i ni kumriat tuj knu, kur bojnë ‘gugu Isuf, gugu Istref’, ma shumë më duket si vajtim se si kangë. Më duket se po këndojnë dhe po qajnë për Isuf Gërvallën. Mos ma merr për keq, s’po thom pse e kam pasë dajë, po e kam dashtë shumë. Qe, besa, të tre i kam dashtë shumë. Janë konë fort djem të zotët… Mos ma nxan për të madhe që spo muj me i mbajt lotët…“

P.s.

O kalimtarë, nëse ju qet udha kah Lybeniqi, ndaluni te Kroni i vjetër, pini ujë të kronit dhe kujtojeni Rrustë Flamurin që vdiq me mallin e tij.