Emergjencë| OKB betejë për të çliruar grurin ukrainas, Kievi: Jo kalim të ngarkesave nga Bjellorusia

OKB vijon përpjekjet dhe negociatat për të çliruar grurin ukrainas dhe për të nxjerrë atë jashtë kufinjve të luftës. Ukraina kundërshton propozimin e Putinit që për të zhbllokuar grurin ngarkesat të kalojnë vetëm nga portet e kontrolluara nga rusët apo nga territori i Bjellorusisë. Sipas OKB situata shumë shpejt do të shkojë në emergjencë ushqimore që do të prekte mbi të gjitha vendet e varfra.

Ndërkohë, megjithatë, në Odessa, hambari më i rëndësishëm në Ukrainë, ngarkesat mbërrijnë dhe nuk largohen. Rusia dhe Ukraina janë të dyja furnizuese kyçe të drithërave, dhe konflikti i vazhdueshëm vetëm ka vënë në pah brishtësinë e zinxhirit global të furnizimit me ushqime, kur dy shtetet kryesore janë jashtë tregut.

Më 2021, Rusia dhe Ukraina janë renditur si lidere globale në eksport të elbit, misrit, luleve të verdha për vajra, farave të lulediellit dhe vajit të lulediellit. Së bashku, ato eksportojnë pothuajse 30 për qind të furnizimeve me grurë në botë. Rusia eksporton 17 për qind të grurit në nivel botëror, ndërsa Ukraina rreth 20 për qind të luleve të verdha për vajra.

Shqipëria importon grurë dhe miell për të plotësuar nevojat e saj. Pjesën më të madhe, rreth 50 përqind, e importon nga Rusia dhe Ukraina. Pjesën tjetër nga Serbia, Rumania dhe Bullgaria. Prodhimi nga fermerët vendas arrin vetëm 250 mijë ton grurë në vit.

Megjithatë, pas pushtimit rus në Ukrainë, zinxhiri i furnizimit me këtë produkte është shkëputur dhe tashmë tregu ndodhet mes kaosit të çmimeve të ushqimeve dhe dërgesave në gjithë botën. Strategjitë e ofensivës së Rusisë përfshijnë bllokimin dhe bombardimin e porteve që janë thelbësore për eksportim të ushqimit.

Më 10 maj, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur shqetësim për krizën me ushqime dhe u ka bërë thirrje liderëve ndërkombëtarë që të veprojnë menjëherë për t’i dhënë fund bllokadës në portet ukrainase, në mënyrë që gruri të arrijë në tregjet tjera.