Emërvendet (toponimet) tregues të denjë të autoktonisë shqiptare në Sanxhak

0
Foto:

Nga Ismet Azizi/

Në mënyrë që të ruhet trashëgimia e toponomastikës, të paktën pjesërisht, duhet shënuar dhe me kujdes të hulumtohet kjo çështje nga perspektiva të ndryshme shkencore.  Sanxhaku paraqet një krahinë të caktuar shoqërore-ekonomike dhe territoriale-administrative. Në aspektin ushtarak emri “sanxhak” do të thotë flamur, që nënkupton përfshirjen e ushtrisë nën një flamur të caktuar. Emri sanxhak është me prejardhje turke (sancak) dhe fillimisht ka përfaqësuar flamurin, e që më vonë ka marrë kuptimin e krahinës të cilën sulltanët ua kanë dhënë nën administrim ushtarëve të vet, të cilët mandej e kanë ndarë administrimin në krahina më të vogla, duke marrë kuptimin e Sanxhakut të sotëm. Territori i Ilirisë gjatë administrimit nga Perandoria Osmane, ka qenë e ndarë në disa vilajete. Sanxhaku i Jeni Pazarit i ka takuar vilajetit të Kosovës.

Kur është populluar Sanxhaku për herë të parë dhe nga kush, nuk dihet. Por, saktësisht dihet se ka qenë i populluar në kohën e neolitit. Për këtë ekzistojnë dëshmi të shumta të cilat ruhen në muzetë e ndryshme. Fragmentet e kulturës ilire-romake dëshmojnë se në epokën ilire dhe romake kjo krahinë ka qenë e populluar nga ilirët, gjegjësisht nga fisi Dardan. Se Sanxhaku gjatë gjithë historisë ka qenë i banuar nga Ilirët, pastaj  nga shqiptarët, dëshmojnë të gjeturat në fshatin Pruzhanj ( Prush,-i, -it.) në Rrafshnaltën e Peshterit, ku arkeologët kanë zbuluar prushin (hirin) e trupave të të vdekurve të djegur. Këto të gjetura datojnë mijëra vjet para Krishtit që me siguri u përkasin ilirëve. Ky fakt dëshmon për autoktoninë dhe prejardhjen ilire të kësaj popullate. Sa i përket ekzistencës së Stari Rasit serb, për të cilën shkenca serbe pretendon se ishte selia dhe djepi i shtetit serb, në fakt ky vend është Arsa, kryeqyteti i vjetër i ilir dhe nuk ka lidhje me atë që pretendojnë serbët.

Para ardhjes së sllavëve këto vise kanë qenë të populluara nga ilirët. Për këtë fakt flasin hulumtimet e shumta arkeologjike: Në Pazarin e Ri, në vendin e tanishëm të kombinatit të Tekstilit “Rashka”, mandej të mbeturat nga ari dhe qelibari të gjetura para shumë viteve te Kisha e Petrovës. Kjo e fundit na jep njohuri për mundësinë e ekzistimit të një lidhjeje të fiseve ilire, selia e së cilës ka qenë në vendin e kishës së përmendur.

Mbështetur mbi faktorin kohë, historia e Ballkanit dhe e popujve autokton të tij: dardanëve, grekëve, ilirëve, trakasve dhe të etnive të tjera me të vogla të kohës së para invadimit të sllavëve në këtë hapësirë, nuk mund të jenë objekt trajtimi i sllavistikës. Kohë më parë, albanologu i njohur Idriz Ajeti në një simpozium të mbajtur në Beograd, ka deklaruar se kjo gjë nuk është punë e sllavistikës (dijës filologjike mbi sllavët e mbi degëzimet e gjuhëve sllave) që të nxjerr përfundime së në cilat territore jetuan dhe u individualizuan gjuhët indoevropiane të atyre popujve para se ne këtë hapësirë të vinin sllavët. Përhapja me forcë e serbëve, përkatësisht pushtimi i hapësirës etnolinguistike shqiptare të Dardanisë antike në shek. XII nga serbet, mbështetet edhe nga historianët serbë të gjuhësisë. Kështu, dialektologu serb A. Beli konstatonte se zhvillimi i dialekteve të gjuhës serbe është i pandashëm nga procesi i kolonizimit serb të Shqipërisë së Epërme. Menjëherë pas pushtimit të Sanxhakut dhe Kosovës, gjegjësisht Shqipërisë së Epërme që u bë në vitin 1912, ai shkruante se “Drejtimin e kolonizimit serb mund ta karakterizojmë përgjithësisht sipas qendrave dhe selive të sundimtarëve serbë si para ashtu edhe pas Betejës së Kosovës. Këto qendra e seli, u shtrinë në shek. XIII në Ras i (Arsa parasllave, serbisht: Raška- afër Novi Pazarit). Prej këndej depërtoi pastaj në shek. XIV, gjatë kohës së sundimit të Dushanit, në drejtim të Prizrenit e të Shkupit. Në mbështetje të gjithë kësaj mund të thuhet se gjuha e shtetit të vjetër serb e kishte për qendër Rashkën”[3]. Kur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve Serbe në vitin 1986 u mbajt një cikël ligjëratave shkencore në të cilat u kontestua origjina ilire e shqiptarëve, arkeologu i shquar serb Milutin Garashanin në ligjëratën “Krijimi dhe origjina e ilirëve”, në mënyrë të prerë theksoi se për origjinën paleoballkanike të “shqiptarëve nuk mund të dyshohet”.

Valentin Vasileviç Sjedov, arkeolog rus, i pyetur nga gazetari  i gazetës “Blic” të Beogradit më 2. 11. 2000, se “Kush janë shqiptarët, nga erdhën dhe që kur janë këtu”, iu përgjigj: “Shqiptarët e sotëm janë  mbetje e ilirëve të cilët jetonin në këto hapësira. U formuan në të kaluarën në pjesën jugore të Shqipërisë, e pastaj gradualisht u përhapën edhe  në hapësirat e tjera… në shekullin e VIII dhe IX, kurse në bazë të dokumenteve të pakta që u ruajtën gjuha e tyre e ka origjinën nga ilirishtja”…

Mbi bazën e gjendjes së hidronimisë së sistemit të lumit Kollubara ( kuptimi i kryehershëm ilir i emrit të lumit Kolubara, sipas I. Duridanov, është “lumë i zi, i erret”) dhe lumenjve tjerë në jug të Savës dhe Danubit, dijetari bullgar Ivan Duridanov nxjerr tri përfundime në lidhje me popullatën ilire të kësaj hapësire.

Pazai i Ri, Jenji Pazar, Novi Pazar, Tregu i Ri, Pazar, Pazari, Tregu, Trgovi, Trgovište, është vendbanimi më i rëndësishëm i Sanxhakut. Rrënjët i ka në Arsa, qytetin Ilir. Rrëzë këtij qyteti është zhvilluar tregtia dhe ky lokalitet ka marrë emrin në shumë gjuhë si; Bazar (persishtja I. A.), Pazari, Tregu, Trgovi, Trgovište. Themelet e qytetit të sotshëm i ka vu Isa Beg Isaku. Pasi pushtoi këto treva e themeloi qytetin dhe e quajti Yeni Pazar. Shqiptarët e quajtën Pazari i Ri dhe Tregu i Ri kurse serbët Novi Pazar. Ky qytet që nga themelimi u shqua për tregti dhe vazhdoi të jetë deri më sot qytet i tregtisë.  Përveç këtyre të dhënave, autori i mirënjohur Mushoviq në monografinë Novi Pazar i Okolina, shkruan: “Lumi Ibër– serbisht: Ibar nga i Bard, në gjuhën shqipe: i bardhë, Lumi i Bardhë; Lumi Lim– nga gjuha shqipe: Lum-i; Lumi dhe liqeni Vapa– nga gjuha shqipe: Vapë, vapa-ë; në serbisht: morina; Peshter-Pesh- peshë; ter- terr (terrësi), ter – thatësi, etj.[5]

Prania e shqiptarëve në Sanxhak tashmë nuk diskutohet, sepse  janë gjetur shumë dëshmi se nga këtu ata u zgjeruan edhe në  Dalmaci, Hercegovinë dhe në Bosnjë gjë që dëshmojnë edhe shumë emra të vendbanimeve të atjeshme Bare( nga “Bari”), Burmazi ( njeri i madh), Buna (bujanë/vërshim ujërash), Bukamire (bukë e mirë), Butmir (tokë e mirë), Curi (shkëmb), Dretel ( “dredhel” bimë këmbanare), Kukusi, Muraj, Vuçaj, Gurjevaçë, Otimir, Skoçaj, Vajmezi, Kokona, korça( toponim me të njëjtin emërtim në Shqipëri, Ibali, Ligati, Gjeç, Tuçep,Tulë, Zavallë Gurjevaç etj…..Për prezencën e shqiptarëve  në këto treva dëshmojnë edhe, mbiemrat e ruajtur si sot: Barzeta, Burmaz, Dodosh, Dukaxhiç, Gurakuq, Ibal, Kalimanoviq, Keça, Keçanoviq, Kokeza, Lekiq, Mushkinja, Perëndia, Preka etj. Në Hercegovinë Jugore, në Lubomir, një vëllazëri shumë e njohur u quajt Zotoviq nga fjala shqipe “zot” –zotni).

Në lidhje me toponimet në Peshter dhe për ta ilustruar më mirë, po i referohemi monografisë Koniçanët të autorit Sh. Numanoviq.

Sipas autorit Numanoviq, themeluese e vendbanimit Koniçë konsiderohet të jetë Kona, një e ve e cila me djemtë e saj është vendosur në këtë vendbanim. Pas saj, mandej thuhet se këtu u vendosën Koliqët e ardhur nga veriu i Shqipërisë. Shumë shpejt atyre iu bashkuan  Nikiqët (Nikqët) kushërinjtë e tyre nga Shala, të cilët pa hamendje i mirëpriti trimi i familjes, Avdi Kola. Shumë shpejt Nikiqët ( Nikajt) u zgjeruan dhe populluan fshatrat Plenibabë, Zhirqe, Rugja dhe Smaluçe. Banorët e sotshëm të Koniçës nuk flasin gjuhën shqipe, mirëpo toponimet flasin se paraardhësit e tyre kanë shfrytëzuar gjuhën nga kanë ardhur. Është e ditur që Shaljanët kanë përdorur toponim  në gjuhën e tyre, por pasardhësit e tyre, duke harruar gjuhën e tyre, i kanë deformuar aq sa  sot vështirë mund të identifikohen, shkruan Numanoviq. Tutje autori në fjalë shkruan: “Për këtë më së miri flasin këto toponime:

Ostrijelo- Ostri vrh

Darda ( dardha) – krusska

Kronpele( kroni i peles) – Kobilin izvor.

Hasinikinkron (Kroni i Hasa Nikës) –Hasan Ikin izvor.

Livadhajdukin(t) (Livadhi i hajdukit)- hajduška livada,

Gura( gurra I. A.)- Kamenjča (izvor iz kamenja)

Gurišta (Gurishtë)- Kamenjar (kamenica)

Ljug (Lug-u)–Dolina ( do).

Kruja( krye)- Glava.

Krštujit (krshi i  ujit)- Vodeni krš.

Livadmas ( Livadhi i madh) – velika livada

Lazdemin ( Lazi i Demes) –Demin laz

Vrhalili (vorii i Halilit)- halilov grob.

Špata ( shpata) – Sablja ( kosa).

Rapš ( Rrafshi) – Ravan

Gurbut ( Guri i but) – Meki kamen.

Lazbrahimit (Lazi i Brahimit) – Ibrahimov Laz.

Kodrkolips (Kodra e kolibës) –Kolibin laz.

Kršpolin – (Krshi i pulës) Kokosji krš.

Lazmilunit (Lazi i Mullinit) Vodeni Laz.

Lazbukur ( Laz i i bukur) – Ljepi Laz.

Ljukmandupit( Lugu i maxhupit) – Ciganski do.

Kodrbunarit ( kodra e bunarit) – Bunarsko brdo

Aštujć ( Asht i Ujqve) – Vučja kost

Dušk ( Dushku) – Hrast

Kron ( kroni)- Izvor.“