Emigrantët në Itali ankohen për vonesa në marrje e pasaportave biometrike në konsullatat shqiptare

Emigrantët shqiptarë në Itali prej disa ditësh po ankohen për vonesat përtej limiteve, të rinovimit të pasaportave biometrike e të kartave elektronike të identitetit.

Në rrjetet sociale duke iu adresuar Ambasadës e Konsullatave, emigrantët shqiptarë shprehin shqetësimin se prej më shumë se dy muajsh janë në pritje të marrjes së dokumentit të rinovuar zyrtar shqiptar. Në veçanti ankimet i adresohen Konsullatës së Milanos ku mjaft emigrantë shprehen se prej muajit shkurt 2021, janë në pritje të mbërritjes së pasaportës apo të kartës së identitetit shqiptar.

Komunikimi i fundit i Konsullatës së Milanos mban datë 27 prill ku informon se në zyrat e saj, kanë mbërritur dokumentet e rinovuara për qytetarët që kanë aplikuar për pasaporta biometrike e karta identiteti elektronik deri në datën 26 mars 2021.

Në bazë të normativës anticovid e vendosur nga qeveria italiane, autoriteti diplomatik shqiptar informon se dokumentet e rinovuara do t’u shpërndahen emigrantëve shqiptarë përmes shërbimit postar e kundrejt pagesë së caktuar. Një vendim ky që padyshim sjellë kosto ekonomike shtesë për emigrantët.

“Por kujdes, informon Konsullata, për të përfituar nga ky shërbim duhet të dërgoni e-mail në adresën zyrtare të vënë në dispozicion”.

Institucionet diplomatike shqiptare në Itali, zbatojnë një orar pune që për ditët festive respekton të gjitha festat zyrtare italiane e ato shqiptare.

Pra personeli diplomatik e administrativ i zyrave të Ambasadës e Konsullatës, është pushim si në festa fetare italiane, ashtu dhe në festat fetare shqiptare, si në festa zyrtare institucionale italiane ashtu dhe në ato shqiptare.