Përfaqësuesi special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordi Stjuart Peach, prej sot deri të mërkurën do të qëndrojë për vizitë në Maqedoninë e Veriut.
Qëllimi i vizitës është konfirmimi i përkushtimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, njofton Ambasada Britanike në Shkup, përcjell INA.
Lordi Stjuart do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministrin për BE-në Bojan Mariçiq, ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani.
Në takimin me presidentin Pendarovski është konfirmuar siç thuhet “partneriteti dhe miqësia e kahershme ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila reflektohet përmes mbështetjes së vazhdueshme britanike për çështjet kyçe që nga pavarësia jonë e deri më sot, dhe marrëdhëniet dypalëshe karakterizohen nga një dialog politik dinamik në nivel të lartë”.
Emisari britanik do të takohet edhe me organizata të shoqërisë civile dhe do të vizitojë monumentet kulturore lokale. “Qëllimi i vizitës është të konfirmojë përkushtimin e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, për të mbështetur reformat dhe për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shtoi Ambasada.
Sivjet, Mbretëria e Bashkuar dhe Maqedonia e Veriut festojnë 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve dypalëshe. Ambasada britanike theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet një partner i ngushtë i Maqedonisë së Veriut dhe një aleat i fortë në NATO. (INA)