Engel: Gjithmonë kam qenë kundër shkëmbimit të territoreve

0

Udhëheqësi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka thënë se është kundër idesë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, siç synon presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një konferencë për Kosovën, në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut, Engel ka thënë se lëvizja e kufirit mes këtyre shteteve do të hapte “Kutinë e Pandorës“.

“Mendoj se ndryshimi i kufijve e hap ‘Kutinë e Pandorës’ dhe nuk e di ku përfundon. Jam kundër. Por, mendoj se nuk ka arsye që Kosova dhe Serbia të mos jenë miq”, ka thënë Engel., citon KOHA.net.

Kongresisti Engel e ka kritikuar Bashkimin Evropian për ngecjen e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

“Unë jam gjithmonë për dialog. Ai është i rëndësishëm. Por, BE-ja nuk ka qenë shumë ndihmuese. Janë pesë shtete që nuk e njohin Kosovën, sepse shqetësohen për separatistët në vendet e tyre. Në momentin kyç të procesit të dialogut të ndihmuar nga BE-ja ne hasëm në një bllokim për disa vjet”, ka shtuar ai.

Engel ka thënë se me normazilim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë ai e kupton njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Shpresoj që me kalimin e viteve, me lidership të ri, të jetë një këtë rrugë. Po e shohim këtë në Lindjen e Mesme, me Izraelin dhe me shtetet arabe. Dua ta shoh këtë edhe në Ballkan, me shqiptarët, serbët, malazezët dhe të gjithë njerëzit në Ballkan. Të gjithë duhet të punojnë së bashku në një zonë të vogël e të punojnë së bashku e të njihen mes veti”, ka thënë Engel.

Ai ka thënë se SHBA-ja duhet të luajë rol më të madh në këtë çështje.

Eliot Engel ka folur edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e popullit të Kosovës nga makineria luftarake e Serbisë. Ai ka thënë se nëse nuk do të kishte intervenim ushtarak, në Kosovë do të kishte miliona shqiptarë të vrarë e të dëbuar.

“Nëse nuk do të kishte intervenim, do të vriteshin dhe dëboheshin miliona shqiptarë”, ka thënë Engel.

Ai ka theksuar se Wesley Clark, Madelain Albgright dhe Bill Clinton, të cilët ai i ka quajtur “gjigantë amerikanë“, e kanë parandaluar gjenocidin në Kosovë.

Engel e ka veçuar angazhimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton. Ai e ka kujtuar një takim të tij me z. Clinton, pak para sulmeve ajrore të NATO-s ndaj Serbisë.

“Dëgjova se Bill Clinton ishte në ndërtesën presidenciale. E prita në korridor derisa doli dhe i thashë: ‘Z. President, ajo çfarë po ndodh në Kosovë është një marrëzi. Njerëzit atje po trajtohen si mbeturina. Ne duhet të bëjmë diçka. Nuk duhet të qëndrojmë duarkryq’. Ai më shikoi në sy dhe me tha: ‘Mos u shqetëso. Ne do të veprojmë”, ka treguar Engel.

Ai ka thënë se shqiptarët janë popull shumë mirënjohës dhe kanë dashuri të madhe për popullin amerikan.

“Kur shkon në Kosovë, gjëja e parë që të ‘pushton’ është dashuria e njerëzve për popullin e Amerikës. Nëse ec rrugës në Prishtinë do të hasësh në 30 persona që të ndalin dhe të falënderojnë”, ka thënë ai./Koha.net