Enkland Hasa: Muzika tradicionale shqiptare si amanet i babait!

0

“Ti Tironë dashni e madhe”, sjell në Shqipëri Enkland Hasën. Koncertmaestro rrëfen koncertin recital, jetën e tij si panist dhe pedagog si dhe lidhjen me muzikën shqiptare. Ai zbulon dhe projektin e të vëllait për Shqipërinë, violonçelistit virtuoz Redi Hasa

Anila Dedaj

“Ti Tironë dashni e madhe”, sjell në Shqipëri një nga pianistët më në zë të skenës botërore. Për Enkland Hasën muzika tradicionale shqiptare nuk është vetëm një obligim moral, por edhe një amanet nga babai i tij, gjithashtu artist i apasionuar pas tabanit të muzikës së vendit tonë, veçanërisht asaj tiranse. Në promovimin e vlerave të muzikës shqiptare Enklandi nuk është i vetmi në familjen Hasa. Ai na rrëfen se vëllai i tij, Redi Hasa, si dhe një nga violinçistët më të mirë në botë aktualisht është duke përgatitur një disk me krijimet e tij, ku mbi harmonin e muzikës së Bahut po përfshin pjesë nga folklori shqiptar. “Për ne është realisht një nder, një kënaqësi shumë e madhe!”, shprehet pianisti. Hasa, në këtë intervistë për “Shekullin” rrëfen pasionin e tij për pianon, copëza nga rrugëtimi i tij artistik si dhe interesin e jashtëzakonshëm të të huajve për folklorin shqiptar. Në koncert recitalin e sotëm, që do të mbahet në Amfiteatrin e Tiranës, Enkland Hasës si drejtues artistik i bashkohen emra të tjerë të njohur të muzikës si, Sinan Hoxha, Valbona Mema, Altin Shira etj.

Enkland ,çfarë ju bëri që të riktheheshit në një Shqipëri, për një koncert të muzikës tradicionale?

Unë jam nga familjet e vjetra tiranse me mbiemrin Hasa. Kështu që ishte jo vetëm një obligim moral por edhe një amanet i tim eti. Im atë, gjithashtu artist, ka qenë tepër i apasionuar pas muzikës tradicionale, sidomos muzikës tiranse. Në zhanerin tradicional është rikthimi i dytë, sepse i pari ka qenë në vitet ’89, në një recital të këngëtares Merita Halili. Ndërsa punët e tjera që kam bërë sidomos në Shqipëri kanë qenë të zhanerit klasik normalisht, pasi unë jam pianist i këtij zhaneri. Kam hapur disa herë sezonin në Orkestrën e RadioTelevizionit Shqiptar, kam pasur disa koncerte recitale në Shqipëri, po ky është një emocion i veçantë sepse më jepet mundësia që të jem udhëheqës artistik i këtij eventi kaq të rëndësishëm, kaq të madh. Mendoj se njerëzit do të kënaqen dhe do të vijnë, jam i sigurt për këtë!

A do të ketë modifikime të këngëve tradicionale?

Përsa i përket repertorit, është një repertor ku përfshihen perlat e muzikës tiranse, këngët më të njohura që këndon populli. Ne nuk kemi dashur të ndërhyjmë përsa i përket pikëpamjes së realizimit, strukturës dhe skeletit të këngës. Këngët do të jenë po ato që këndon populli! Ndoshta ndonjë të re do të ketë përsa i përket kontaminacionit apo elementeve të tjera të muzikës, të zhanrit pop, ose qoftë edhe xhaz, por pa prishur strukturën e këngës. Tradita ngelet traditë kështu që nuk duhet të kontaminohet skeleti i këngës. Ajo që ne kemi sjellë të re është thjesht një frymë kontaminacioni, përsa i përket një përzierje me një tjetër zhanër muzikor.

Si u gjendët bashkë me artistët e tjerë?

Ata janë miqtë e mi dhe unë i kam njohur edhe më herët. Me disa prej tyre kam qenë edhe shok, kemi bërë muzikë bashkë në kohën e rinisë. Natyrisht këngëtarët janë nga më të mirët e muzikës tradicionale tiranase, por sidomos edhe instrumentistët, formacioni orkestral. Unë kam përzgjedhur muzikantët më të mirë që ekzistojnë në Tiranë edhe kështu që impakti i parë gjatë provave ishte jashtëzakonisht njohës krahas këngëve. Falë ndihmës së tyre, veçanërisht për disa elemente si klarinetisti, apo instrumenteve të tjerë të traditës e pata shumë të lehtë të adaptohesha, edhe pse unë jam njohës i mirë i muzikës tradicionale. Për mua është kënaqësi shumë e madhe të bashkëpunoj me artist me kaq talent.

Do ketë këngë të ditëve të sotme?

Unë kam dashur në mënyrë absolute ti qëndroj besnik traditës, përshembull “Qan lulja për lulen” do të jetë një këngë që unë e kam rielaboruar, në kuptimin e kam sjellë pa ndryshuar tekstin po me një lloj konceptimi kontemporan. Me këtë këngë unë kam dashur të kujtoj këngëtaren e madhe Hafsa Zyberi, pavarësisht se kënga me kalimin e kohës është ndryshuar përsa i përket tempizmit dhe pikëpamjes harmonike. Në këtë këngë është bërë një miksim shumë i këndshëm i strukturës popullore të këngës popullore me elementë të tjerë të muzikës.

Jetoni dhe punoni jashtë por a dëgjoni muzikë shqiptare ?

Normalisht që po, madje do t’ju rrëfej edhe një fakt mjaft interesant. Në Italinë e Jugut ku unë jetoj, po qoftë edhe në Italinë e Veriut njihen të gjitha këngët popullore shqiptare, edhe ka disa formacione italiane që i luajnë. Një nga këto formacione që unë kam pasur mundësinë edhe të bashkëpunoj është Opa Cupa, i formuar nga shtatë xhazistët më të mëdhenj italianë të cilët mund t’i dëgjosh të luajnë “Lule të bukura ka Tirona” etj. Ky fakt që duket një paradoks i madh, për ne është një surprizë shumë e këndshme. Mua më kujtohet në vitet ’80-të, po qoftë edhe në vitet ’90-të ne, muzikantët shqiptarë ishim të prirur për të luajtur muzikë të huaj. Tani ndodh krejtësisht e kundërta!

Pra italianët dëgjojnë dhe luajnë muzikë tradicionale shqiptare?

Në Italinë e Jugut dëgjon të luhet muzika e Shqipërisë së Mesme, janë jashtëzakonisht të prirur dhe të predispozuar të dëgjojnë muzikën e jugut, sidomos isot labe. Ka një interes të jashtëzakonshëm ndaj tyre. Rasti i fundit, im vëlla(Redi Hasa një nga violiçenistët më të mëdhenj të skenës botërore), aktualisht po bën një disk me “Deutsche Grammophon”, një nga shtëpitë më të mëdha diskografike që ekziston në rang botëror, qoftë edhe me “Ponderosa-n”, me të cilën punoj edhe unë. Disku i Redit është mbi muzikën e Bahut, por ndërthuret me ison labe. Këtë po e realizon në bashkëpunim me Irini Qirjakon. Është një gjest jashtëzakonisht interesant që mbi harmoninë dhe muzikën e Bahut për violinçel, ai ka ndërfutur muzikën labe, folklorike. Mendoj që muzika shqiptare sot për sot ka një lloj kontaminacioni sidomos në vendet fqinjë. Në Greqi është deri diku normale, pasi jemi ballkanas, kurse italianët janë shumë të prirur për ritmet e thyera tonat. Kjo tregon që për përhapjen e saj, kemi sadopak meritë edhe ne, pasi kemi futur muzikën shqiptare në këto rangje që nuk njiheshin më përpara.