Epidemiologu: Çfarë ndodh nëse vaksinohet dikush që e ka kaluar infeksionin natyror nga COVID-19

Epidemiologu Ilir Alimehmeti, ka analizuar situatën e koronavirusit, procesin e vaksinimit dhe çfarë ndodh nëse vaksinohet dikush që e ka kaluar infeksionin natyror nga Covid-19.

Alimehmeti sjell disa analiza nga studiues të ndryshëm, ndërsa shpjegon se ata që e kanë kaluar koronavirusin, me një dozë të vetme të vaksinës arrijnë një nivel anti-trupash 10-fish më të lartë se personat që nuk e kanë kaluar sëmundjen dhe që i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Sipas epidemiologut marrja e dozës së dytë ngre nivelin e antitrupave në 16-fish në krahasim me ata që nuk e kanë kaluar.

Statusi i plotë:

E vërteta nuk kthehet në më pak të vërtetë vetëm sepse askush nuk e ndjek atë.”

Cit.: Dr. Abhijit Naskar

Miqtë e mi, prej disa ditësh shumë prej jush më kanë pyetur çfarë ndodh nëse vaksinohet dikush që e ka kaluar infeksionin natyror nga COVID-19!

Duke marrë shkas prej këtyre pyetjeve, le të shohim së bashku të vetmin studim të kryer në këtë drejtim.

Kërkuesit e Fakultetit të Mjekësisë në Mount Sinai, Neë York (SHBA) përmes një studimi të botuar preprint më 1 Shkurt 2021, studiuan pikërisht diferencat e përgjigjes së vaksinës ndërmjet atyre që e kanë kaluar dhe atyre që nuk e kanë kaluar sëmundjen.

  • Në detaj ata vaksinuan me vaksinën e Pfizer-BionTech ose të Modernës:

68 persona seronegativë (nuk e kanë kaluar sëmundjen), dhe

41 persona seropozitivë (e kanë kaluar sëmundjen.

Siç e dimë, kjo vaksinë kërkon të përdoret një skemë me dy injeksione me distancë 3-javore dhe pritet që maksimumi i përgjigjes të ndodhë rreth 1 javë pas marrjes së dozës së dytë.

Autorët matën përgjigjen e antitrupave te këta individë, si edhe studiuan efektet anësore ndër ta.

Figura A: Rezultatet e përgjigjes së titrit të antitrupave (shprehur në AUC “area under the curve”):

Te personat që nuk e kishin kaluar sëmundjen:

përpara vaksinimit: AUC = 1

9-12 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 439

13-16 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 1.037

17-20 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 1.037

21-24 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 1.075

Pas dozës së dytë: AUC = 1.399

Te personat që e kishin kaluar sëmundjen: përpara vaksinimit: AUC = 91

5-8 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 14.208

9-12 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 20.783

13-16 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 25.927

17-20 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 12.661

21-24 ditë pas vaksinës së parë: AUC = 16.263

Pas dozës së dytë: AUC = 22.509

Pra e thënë shkurt:

Ata që e kanë kaluar sëmundjen, me një dozë të vetme vaksine arrijnë një nivel antitrupash 10-fish më të lartë se sa personat që nuk e kanë kaluar sëmundjen dhe që i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Marrja e dozës së dytë e ngre nivelin e antitrupave në 16-fish në krahasim me ata që nuk e kanë kaluar.

Figura B: Efektet anësore të vaksinave:

Të gjitha efektet anësore ishin të lehta.

Efektet anësore ishin më të shumta dhe më të forta te personat që e kishin kaluar sëmundjen.

Efektet anësore përfshinin:

dhembje, enjtje dhe skuqje në vendin e injeksionit,

lodhje

dhembje koke,

ndjenjë ethesh,

dhembje muskujsh,

temperaturë, dhe

dhembje të artikulacioneve.

Autorët dalin në përfundimin se:

Ndryshimi i politikës së vaksinës që t’u jepet vetëm një dozë vaksine personave që e kanë kaluar sëmundjen: nuk do të ndikonte negativisht në titrat e antitrupave,

do t’u kursente atyre vuajtje të panevojshme, dhe do të vinte në dispozicion shumë doza vaksinash që nevojiten me urgjencë për të tjerë.

Dr. Shk. Ilir Alimehmeti

Epidemiolog Klinik

Fakulteti i Mjekësisë, UMT