Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se në Kosovë kanë ardhur me një plan dhe se të njejtin e kanë diskutuar me kryeministrin Albin Kurti.
Lajçak ka thënë se ai plan do të diskutohet edhe në Serbi me Aleksander Vucicin, derisa ka thënë se s’mund të lëshohet më shumë në detaje.
Emisari sllovak ka thënë se dialogu s’ka alternativë dhe ka potencuar se sulmi në Banjskë ka ndryshuar shumë gjërat.
“Ne gjithmonë kemi plan, patëm një plan, e diskutuam planin tonë me z. Kurti. Do ta diskutojmë edhe me z. Vucic. Nuk do të lëshohëm më shumë në detaje. Dialogu s’ka alternativë. Sulmi i Banjskës ka ndryshuar shumë gjëra. Dhe isha shumë i qartë që autorët duhet të përballen me pasojat. Dialogu duhet të vazhdojë”, ka deklaruar Lajçak.
Ai tha se pret bashkëpunimin e Serbisë po ashtu edhe Kosova të përmbushë detyrimet e dialogut.
Gjithashtu ai theksoi se nëse mes dy vendeve, Kosovë e Serbi nuk ka dialog mund të ketë përsëritje të përshkallëzimit
“Nëse nuk ka dialog mund të ketë përsëritje të përshkallëzimit dhe për këtë arsye ne jemi këtu, për dialog. Proceset janë në vazhdimësi. NATO është shumë e angazhuar. Dialogu sjell normalizim të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Unë mbaj anën e BE-së dhe jemi fokusuar në substancë. Sa për sulmin nuk mund të ketë shmangie. Unë them që të hiqet çdo barrierë sa i përket lëvizjes së lirë”, tha ndër të tjera Lajçak, duke shtuar se plani do i prezantohet edhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.(INA)