Erdogan arriti në Shqipëri, Rama e pret me ceremoni të lartë shtetërore/Video

Në Shqipëri do të qëndrojë sot presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Në Aeroportin e Rinasit, Erdogan është pritur me ceremoni të lartë shtetërore nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, transmeton TV21.

Në kuadër të saj janë intonuar himnet shtetërore të të dy shteteve.

Pas mbërritjes në Rinas rreth orës 09:00, bashkë me kryeministrin Edi Rama do t’i drejtohen Laçit për të parë lagjen e re të banesave ndërtuar falë mbështetjes të presidentit Erdogan dhe bujarisë të popullit turk.

Janë 522 apartamente me vlerë 42 milion euro, kontribut i Turqisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në orën 14:00, në ambientet e kryeministrisë do të mbahet takimi Rama-Erdogan e më pas nënshkrimi i 7 marrëveshjeve e memorandumeve bashkëpunimi.

Pjesë e vizitës në Tiranë të presidentit Erdogan është edhe një ndalesë për të parë Xhaminë Ethem Beu pas rikonstruksionit. Ishte TIKA, agjencia turke për bashkëpunim ndërkombëtar financuese e rikonstruksionit përmes specialistëve restaurotorë, të ardhur nga Turqia.

Rreth orës 15:00 do të mbahet konferenca për shtyp e kryeministrit Rama me Erdogan, ndërsa vizita e presidentit turk do të mbyllet me një fjalë në parlamentin e Shqipërisë./TV21