Erdogan kërcënime ndaj Greqisë, reagon DASH: Nuk preken territoret e ishujve, respektoni sovranitetin…

Departamenti Amerikan i Shtetit i është përgjigjur menjëherë deklaratave kërcënuese të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, i cili mblodhi sot Këshillin e Sigurisë kombëtare për çështjen e Greqisë.

Zëdhënësi i DASH, Ned Price është pyetur nga gazetarët ditën e sotme lidhur me qëndrimin e SHBA për deklaratat e Turqisë, duke u shprehur se sovraniteti territorial i ishujve të Greqisë është “i panegociueshëm”.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet dhe të mbrohet. Sovraniteti i Greqisë mbi këto ishuj është i panegociueshëm”, u shpreh Price.

Këshilli i Sigurisë që u mblodh me kërkesë të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, doli sot me një deklaratë zyrtare pas përfundimit të mbledhjes, ku akuzon Greqinë dhe shtetet aleate “që e mbështesin” në militarizimin e ishujve.

“Raqet që inkurajojnë Greqinë të armatosë ishujt e çmilitarizuar duhet të vijnë në vete. Vendimi i SHBA për të hequr embargon ndaj administratës greke qipriote është kundër frymës së aleancës”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Këshillit të Sigurisë së Turqisë.

Kanë qenë disa foto të publikuara në mediat turke pak ditë më parë, shkaku i rritjes së tensioneve mes dy vendeve. Në foto pretendohej shfaqeshin automjete luftarake në ishujt pranë Turqisë që sipas marrëveshjeve dypalëshe duhet të qëndrojnë të demilitarizuar.