Erdogani si “Rule Model”

0

Në fakt, ideologjia e Erdoganit te shqiptarët përbëhet nga populizmi që eksploaton njëkohësisht nacionalizmin shqiptar dhe fenë islame. Kjo funksionon edhe pse identiteti etnik shqiptar është shekullar, pasi nuk e përfshinë fenë por e vendos atë vetëm në rrafshin individual. Identiteti etnik shqiptar, i brumosur nga rilindësit e shekullit 19, bazohet në tri shtylla kryesore: gjuha, historia dhe Gjergj Kastrioti-Skenderbeu si kryehero.

Shkruan: Xhelal NEZIRI

Presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan, i fitoi edhe këto zgjedhje. Kishin marrë epitetin historike pasi për herë të parë një president i shtetit do të ketë aq shumë fuqi mbi pushtetin legjislativ (Parlamentin), ekzekutiv (Qeverinë) dhe gjyqësor. Apo thënë ndryshe – një sulltan modern, pas asnjë institucion tjetër që do të bënte një baraspeshë të pushtetit, siç është rasti në SHBA me “check and balance”.

Referendumi i vitit të kaluar, ku me një shumicë të ngushtë kaluan ndryshimet kushtetuese që i japin fuqinë e sulltanit Erdoganit, dhe këto zgjedhje presidenciale e parlamentare mund të thuhet se janë vullnet i shumicës së qytetarëve që jetojnë në Turqi dhe i shtetasve të saj në diasporë. Nëse deri në fund kanë qenë demokratike, kjo sërish është temë për debat duke marrë parasysh faktin se Erdogan kontrollon pjesën dërmuese të medieve, kurse afër 200 gazetarë janë në burg shkaku i qëndrimit kritik ndaj pushtetit. Nëse kësaj i shtohet edhe mbyllja e disa medieve të pavarura, atëherë rezultati i këtyre zgjedhjeve është shumë diskutabil pasi sfera publike ka qenë e dominuar nga njëmendësia. Sidoqoftë, vendimet në zgjedhjet e pranuara nga opozita mund të merren si demokratike.

Ajo që ra në sy pas këtyre zgjedhjeve është ekzaltimi i një pjese të madhe të opinionit shqiptar me fitoren e Erdoganit. Është e natyrshme lidhja e turqve etnik me shtetin amë, por një eufori e këtillë te shqiptarët e Maqedonisë nuk është parë as me fitoret e Sali Berishës apo Edi Ramës në Shqipëri apo me fitoret e Hashim Thaçit, Ibrahim Rugovës e Ramush Haradinajt në Kosovë.

Kjo dëshmon se përkrahja për presidentin turk në Maqedoni është gjithnjë në rritje. Nga ana e medieve, institucioneve, universiteteve, kompanive apo klerikëve fetarë të lidhur me Ankaranë, ai portretizohet si një lider jo vetëm i Turqisë, por i tërë botës myslimane.

Në këtë periudhë kur Maqedonia dhe rajoni janë pa një perspektivë të qartë të integrimit euro-atlantik, Turqia e Erdoganit promovohet si një alternativë për qytetarët e këtyre vendeve. Pra, e ka shfrytëzuar vakuumin në Ballkan për të shtrirë ndikimin pa një kosto të lartë. Nëpërmjet një propagande të fuqishme formale dhe joformale, ku përdoren edhe lajmet e rrejshme apo mediet fantome, në hapësirën publike shqiptare po tentohet të imponohet autoriteti i pakontestueshëm i Erdoganit si mbrojtës i shqiptarëve dhe myslimanëve në botë.

Nëpërmjet formave të ndryshme të propagandës, konvencionale dhe jokonvencionale, në sytë e qytetarit shqiptar presidenti i Turqisë paraqitet si një politikan tradicional kur bëhet fjalë për familjen, si udhëheqës shpirtëror kur bëhet fjalë për religjionin, si komandant suprem i forcave të armatosura kur flitet gjendje lufte dhe si lider politik kur duhet të përfaqësohet ky vend. Në fakt, Erdogan ka arritur ta koncentrojë te personaliteti i tij pushtetin politik, ushtarak dhe klerikal, duke u bërë një sulltan modern i Turqisë. Kjo tendencë e zvogëlon në minimum hapësirën për qasje kritike ndaj tij. Ky autoritet imponohet me agresivitet edhe ndër shqiptarë, duke shfrytëzuar të gjitha format e ndikimit – nga politike apo ekonomike, e deri te ajo fetare. Çdokush që guxon të kritikojë Erdoganin apo interesat e tij në Maqedoni dhe rajon, linçohet publikisht nëpërmjet medieve tradicionale, portaleve me identitet transparent apo fantom, apo lajmeve të rrejshme që shpërndahen nga ana e “brigadave të internetit”. Kjo është një goditje e rëndë për demokracinë, e cila në themelet e saj e ka debatin, mendimin ndryshe apo lirinë e shprehjes.

Në krahasim me shtetet tjera ku jetojnë shqiptarët, mbase është e vërtetë se ato në Maqedoni janë përkrahës më të mëdhenj të Erdoganit. Strategjia për rikthimin e ndikimit në Ballkan, pra një ndikimi të njëjtë siç ka pasur Perandoria Osmane, duket se ka për pilot projekt shqiptarët e Maqedonisë. Për ta arritur këtë qëllim duket se përdoren të gjitha format dhe mënyrat. Ka një numër të konsiderueshëm të medieve, universiteteve, klerikëve fetarë, intelektualëve dhe faktorëve tjerë të sferës publike, të cilët krijojnë makinerinë e fuqishme të ndikimit te shqiptarët etnik.

Në fakt, ideologjia e Erdoganit te shqiptarët përbëhet nga populizmi që eksploaton njëkohësisht nacionalizmin shqiptar dhe fenë islame. Kjo funksionon edhe pse identiteti etnik shqiptar është shekullar, pasi nuk e përfshinë fenë pasi e vendos atë vetëm në rrafshin individual. Identiteti etnik shqiptar, i brumosur nga rilindësit e shekullit 19, bazohet në tri shtylla kryesore: gjuha, historia dhe Gjergj Kastrioti-Skenderbeu si kryehero. Gjeografia dhe feja nuk janë pjesë e këtij identiteti, pasi shqiptarët etnikë jetojnë në 5 shtete dhe u takojnë së paku 4 religjioneve të ndryshme. Por, duke parë se pjesa më e madhe janë myslimanë, ideologjia neo-osmane tenton që identitetin individual fetar ta transformojë në identitet kolektiv te shqiptarët, duke e bërë madje edhe si shtresë kryesore identitare, mbi atë etnike dhe shtetërore. Të njëjtën gjë ai tenton ta bëjë edhe në Turqi, ku pas kësaj fitoreje mund të thuhet se e ka vulosur këtë transformim identitar. Nëse kihet parasysh se identiteti i etnisë myslimane në Bosnjë e Hercegovinë bazohet vetëm në shtyllën fetare, atëherë një inxhiniering i tillë identitar te shqiptarët dhe turqit do të krijonte një popull mysliman, të cilët edhe pse u përkasin kulturave tjera dhe flasin gjuhë të ndryshme, do të ishin bashkë nën ombrellën identitare fetare. Pra do të ishte feja ajo që do të bashkonte të gjithë diversitet, duke krijuar “miletin” e kohës së Perandorisë Osmane.

Jorastësisht strategjia neo-osmane ka një qëllim: të godasë identitetin etnik të shqiptarëve, duke e përjashtuar Gjergj Kastriotin si kod identifikimi dhe duke e imponuar religjionin si identitet kolektiv të kësaj etnie.

Përkrahja për Erdoganin është e konsiderueshme edhe te maqedonasit etnikë. Sidomos te pjesa konservative dhe nacionaliste, të cilët shohin te Erdogani një mik dhe një lider të sinqertë, punëtor dhe popullor. Kjo pjesë e elektoratit kërkon një dorë të fuqishme të pushtetit, andaj modeli autoritar i tij është shumë më i afërt sesa ndonjë profil i liderit të vendeve te Bashkimit Europian apo të SHBA-ve. Në anketat e zbatuara nga ana e Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCIC) me seli në Shkup, Turqia ka rezultuar dukshëm e para si vend më mik dhe aleat më i afërt i Maqedonisë. Ky është rezultat i popullaritetit në rritje të Erdoganit si te maqedonasit ashtu edhe te shqiptarët etnik, apo edhe te etnitë tjera. Ndërkohë që Gjermania është partneri kryesor ekonomik i Maqedonisë, kurse Holanda është lider sa u përket investimeve të huaja të drejtpërdrejta, Turqia ka arritur të fuqizojë ndikimin edhe te maqedonasit etnik, edhe pse renditet e 8-ta si partner ekonomik i vendit.

Është fakt se figura e Erdoganit tani më paraqet një “rule model” për atë se si duhet të duket një politikan shqiptar. Megjithatë, pjesa më e madhe e shqiptarëve etnikë të Maqedonisë mbeten të lidhur ngushtë me Perëndimin. Kjo vjen për dy arsye: e para, një numër i madh i mërgimtarëve shqiptarë, që pas luftës së dytë botërore dhe vendosjes së regjimit komunist, kanë ikur në vendet e Europës Perëndimore apo SHBA për të gjetur punë apo strehim politik; dhe e dyta, shqiptarët e Ballkanit e kanë të freskët çmendurinë e diktatorit të tyre Enver Hoxha apo edhe të regjimit të njëmendësisë jugosllave, dy sisteme që u kanë shkaktuar shumë dëm atyre.

Ka edhe nga ato që jetojnë në Perëndim, por e admirojnë Erdoganin, gjë që është një hipokrizi e pastër. Por, gati të gjitha anketat tregojnë se mbi 90 për qind e shqiptarëve etnikë janë për integrim në strukturat euro-atlantike, ku ambienti demokratik dhe standardi jetësorë janë larg asaj që është si realitet në Turqi.

Megjitahtë, kjo përqindje nuk do të thotë se mund të mbahet e konservuar. Njëjtë si identiteti etnik i shqiptarëve dhe orientimet strategjike, të cilat mund të ndryshojnë si rezultat i kësaj vale ideologjike.