Erotimatologio / Beqë Cufaj

Beqë Cufaj (1970), gazetar, shkrimtar, është lindur në Deçan dhe ka studiuar Letërsi e Gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 1995 Cufaj ka jetuar në Gjermani dhe Kosovë. Ka botuar 8 libra me poezi, ese, tregime, romane. Cufaj jeton në Berlin të Gjermanisë.

Libri i parë:

“Lugjet e verdha” me autor Rexhep Hoxhën. Më kujtohet ky libër sepse doja të lexoja çkado, por fakti që kam kaluar fëmijërinë Deçan ku ka edhe lugje por edhe bjeshkë- ma shtonte fantazinë prej fëmiu dhe empatia që më ngjallte rrëfimi i Rexhep Hoxhës për atë botë fantazie nuk ka dyshim që më lidhte me çdo gjë. Kur je fëmijë, dhe sidomos fëmijë në vitet e 70 të shekullit të kaluar, duhet patur parasysh që pos një televizori me program të varfër dhe bardh e zi si dhe një gazete ditore pokështu bardh e zi… në fantazinë e fëmiut nuk mbeten shumë alternativa pos atyre të leximit dhe kalimit në botën e përtejme. Them që vet titulli i librit me “verdha” duhet të ketë qenë vendimtar për të kaluar në lugjet e pambarimta të fantazisë…

Libri që do të doje ta kishe shkruar

Nuk është një por janë disa libra të cilët janë një cikël romanesh me autofikcionin si paradigmë. Shkrimtari i njohur norvegjez Karl Ove Knausgard ka një projekt prej 7 librash autofiktivë që quhen: Lufta ime, Dashuria ime, Loja ime, Vdekja ime, Ëndërra ime, Jeta ime dhe Ëndërra ime. Ky projekt i tij madhor them që do t’i mbijetojë shekullit të shpejtë dhe marramendës në të cilin jemi. Them që ky autor mund të matet me Marcel Proust- dhe e sfidon. Nuk e di nëse ndonjëri nga këta libra të tij është përkthyer në gjuhën shqipe- supozoj që jo. Por sa më shpejt që do të botohet ky projekt prej më shumë se 4000 faqesh – aq më mirë.

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri

Nuk kam asnjë dilemë që është Romani 2666 i autorit kilean Roberto Bolano. Jam i lumtur që ky libër është përkthyer nga Bashkim Shehu dhe mund të lexohet edhe në gjuhën shqipe. Nëse në Pjesën e parë të Shekullit të kaluar romani “Ulysses” i James Joyce ishte vepra që vulosi rrëfimin e ndërdijes për breza të tërë shkrimtarësh… them që 2666 është romani që shënon këtë shekull në të cilin tashmë kemi hyrë përmes “globalizmit” si determinim i paikshëm.

Libri që jua ka ndryshuar jetën

“Viti i Mbrapshtë” me autor Ismail Kadarenë. Është një roman të cilin e kam lexuar në vitet 90 si student në Prishtinë. Sfondi i këtij romani gjenial të Kadaresë është simetrik: krahinat shqiptare karshi fuqive botërore. Ky projeksion edhe sot e kësaj dite, 40 vite pas botimit të tij për fat të keq vazhdon të jetë i njejti. Dhe them që për kombin tanë, do të jetë i njejti- me përjetësi. 

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

Romani “Tomás Nevinson”, i autorit të njohur spanjoll Javier Marias. Marias i cili ka vdekur këtë vit nuk ka dyshim që është një prej autorëve më të rëndësishëm europian.

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

Nuk ka libra që zhgënjejnë. Sepse kur e ndjen që një libër nuk “rrin” në dorë as në kokë e lëre më shpirt- thjesht e hedh anash. I ngjet si një bashkëbisedimi me dikënd… Një libër që nuk të flet e lëre më flen në zemër… Nuk ka pse të mbahet më gjatë në dorë.

Libri që ju ka befasuar

Ka shumë libra që më kanë befasuar. Për mirë ose për keq.

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë

Librave të William Faulkner. Letërsia e tij është e paarritshme. Faulkner është një universum dhe Homeri i shekullit të kaluar. Zor të ketë ndonjë rrëfimtar që ka ndërtuar një botë të tërë më vete si William Faulkner.

Libri i fundit

Ashtu siç nuk ka libër të parë zor që mund të ketë libër të fundit. Jam duke i lexuar disa njëkohësisht…