Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit dhe Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot e vazhdon vizitën në vend me takime me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe liderin e opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.
Pas takimit mes Kovaçevskit dhe Eskobarit, paradite në Qeveri do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Escobar është në një vizitë dy-ditore në vend dhe kjo pason fillimin e procedurës parlamentare për miratimin e amendamenteve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë si kusht që vendi të mbajë seancën e dytë ndërqeveritare dhe të vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian.
Takimi i parë i Escobar ishte dje me presidentin Stevo Pendarovski dhe në të, siç informoi kabineti i presidentit, u shpreh pritshmëria e Uashingtonit zyrtar se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Në prag të vizitës së Escobarit, kryeministri Kovaçevski dje njoftoi se ai dhe zyrtari amerikan do të diskutojnë për çështje me interes nacional shtetëror, marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale me interes për Maqedoninë e Veriut.
Ai tha se ndryshimet kushtetuese janë vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e vendit, i cili është para deputetëve dhe që nuk ndërhyn në asnjë çështje identitare të popullit maqedonas.
Por nga ana tjetër, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski para vizitës së Eskobarit tha se është e rëndësishme që secili që vjen në vendin tonë, pavarësisht se nga vjen, të ketë qëllime të mira.
Ai përsëriti kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe qëndrimin se nuk ka mbështetje për ndryshimet kushtetuese nga partia opozitare. Mickoski shtoi se çdo gjë tjetër që po ndodh në këtë moment e konsideron si torturë dhe presion që po ndodh edhe në opinion dhe VMRO-DPMNE do ta kundërshtojë.(INA)