Shekulli 21 a është shekull i religjioneve?

0

Nga MUHAMED HALILI

Ngjarjet të cilat viteve të fundit e trondisin civilizimin perëndimor sikur e vërtetojnë thënien e novelistit të madh francez Andre Malraux (1901-1976) pak përpara vdekjes së tij në vitin 1976 se “shekulli 21 do të jetë religjioz ose nuk do të jetë fare”.
Samuel Hantington, politolog I shquar amerikan, professor për marrëdhënie ndërkombëtare dhe këshilltar politik I disa qeverive në Amerikë, në revistën prestigjioze “International Affairs” në vitin 2004 shkroi kolumnën “Përplasja e civilizimeve” ku theksoi se me përfundimin e luftës së ftohët “bota kthehet në hapsirën ku do të dominojnë civilizimet ku konfliktet do ta kenë rrënjën në përplasjet midis civilizimeve”.
Pas akteve terroriste të 7 korrikut 2005 në Londër kryeministri I atëhershëm britanik Tony Blair deklaroi se këto akte ishin të drejtuara kundër vlerave britanike siç janë demokracia liberale, të drejtat e njeriut ku bënë pjesë edhe barazia midis femrës dhe mashkullit, shteti I së drejtës, multikulturalizmi dhe liria e fjalës. Çështja kryesore për të analizuar ishte si është e mundur që katër të rinjë musliman të lindur dhe edukuar në Britaninë e Madhe të ngrenë dorë kundër atdheut në të cilin u linden dhe kundër shtetit që I edukoi dhe u dha besim të edukojnë gjeneratat e reja.
Në religjion e krishterë karikaturimi i Jezu Krishtit është I lejuar dhe nuk ndjell ndonjë mllef të posaçëm te të krishterët poqese dikush e karikaturon Krishtin. Te muslimanët, përkundrazi karikaturimi I profetit Muhamed, s.a.v-s. është I ndaluar dhe shkakton indinjatë të besimtarët.
Në emër të lirisë së shprehjes një karikaturist I njohur danez në të përditshmen Jyllands Posten më 30 shtator 2005 botoi 12 karikatura ku fyhej profeti Muhamed dhe Islami si religjion. Kjo shkaktoi protesta të mëdha të grupeve islamike në Danimarkë dhe në tërë botën me ç’rast u dogjën disa ambasada në shtete të ndryshme evropiane.
Pasi javorja satirike franceze “Charlie Hebdo » kishte publikuar 12 vizatimet e botuara në Jyllands Posten të Danimarkës, vëllezër Said dhe Sherif Kuashi më 7 janar 2015 të armatosur hynë në selinë e javores dhe vranë 12 persona dhe plagosën shumë të tjerë. Kjo ngjarje solli indinjatë të madhe në tërë botën demokratike.
Më 16 tetor 2020 një prind musliman i një nxënësje të një kolegji në Ivelines, në periferi të Parisit ia hoqi kokën me thikë mësuesit të histori-gjeografisë pasi u kishte ligjëruar nxënësve për lirinë e shprehjes nëpërmjet të një vizatimi ku profeti Muhamed paraqitet lakuriq.
Ngjarja edhe kësaj rradhe e tronditi Francën. Në vend të ngjarjes shkoi edhe presidenti francez Macron dhe prej atje deklaroi : « Obskurantizmi nuk do të kalojë. Ata nuk do të na ndajnë. Ata këtë e dëshirojnë .
Kështu në vitin 2005 deklaroi Toni Bler. Gazetat britanike në ballinë e kishin botuar një fotografi ku një zezak dhe një nga raca e bardhë, të përgjakur, iknin dorëpërdore nga vendi i ngjarjes.
« ISLAMI ËSHTË NË KRIZË, DUHET TA STRUKTUROJMË »
Kohë më parë, më 2 tetor, në një ligjëratë për separatizmin religjioz të mbajtur në Yvelines, lagje afër Parisit, presidenti francez Emanuel Macron deklaroi siç vijon : Atë që ne duhet ta sulmojmë është separatizmi islamik. Është një projekt i ndërgjegjshëm, i bazuar teoretikisht, politiko-religjioz, i cili konkretizohet nga shmangëjet e përsëritura me vlerat e Republikës ».
Lufta e tij kundër separatizmit bazohet në pesë shtylla. Ai e ka vënë në spikamë neutralitetin e shërbimit publik duke i kundërshtuar orët e rezervuara për femrat në pishinat komunale si dhe menytë konfesionale në kantinat e ushqimit.
Duke e spjeguar tekstin e propozim ligjit i cili në dhjetor të këtij viti do t’i parashtrohet Këshillit të ministrave, presidenti Macron deklaroi : « Ajo që ky propozim tekst do të mundësojë është se në mënyrë shumë konkrete do të theksohet se obligimi I neutralitetit do të aplikohet në administratën publike(…) dhe do të shtrihet edhe te nëpunësit e ndërmarrjeve »
Më tej deklaroi Presidenti se Asociacionet të cilat nuk do t’i respektojnë rregullat e Republikës do të ç’rregjistrohen dhe finansimi i tyre do të kontrollohet. Macron me këtë ligjëratë paralajmëroi strukturimin e Islamit në Francë duke u shprehur se « do të ndërtohet në Francë një Islam i Illuminizmit « . Pra, edhe Macron, njësoj sikurse Sarkozy vite më parë konsideron se është domosdoshmëri të ruhen vlerat republikane duke siguruar se Ajo do ti mbajë premtimet për barazi dhe emancipim. Propozimet e Macron-it synojnë shpalljen e një lufte kundër individëve dhe asociacioneve të cilët kërcënojnë vlerat laike të Republikës franceze, në rradhë të parë kundër Islamit radikal.

Macron konsideron se laiciteti është cementi i Francës unike dhe se « …obligimi i tyre është të luftojnë kundër atyre që shqetsojnë në emër të religjionit duke i mbrojtur ata të cilët besojnë në Islam dhe janë qytetarë me të drejta të plota të Republikës . »
Në fjalimin e tij të mëtutjeshëm Macron ka deklaruar se shteti francez është përgjegjës për getoizimin e komuniteteve ku radikalët islamik kanë zënë rrënjë sepse atyre nuk u është kushtuar kujdes i posaçëm. Atje ku ne jemi larguar, kanë intervenuar ata, vazhdon ai.
Macron në fund pranon se historia e kolonializmit ka lënë plagë që asnjëherë nuk janë shëruar.
Cila ishte nevoja e Macron që në vigjilje të zgjedhjeve të përgjithëshme në vitin 2022 tu kthehet vlerave republikane dhe laicizmit francez ?
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017 kandidati i dytë për president të Francës ishte Marine le Pen me afër 23% të votave të përgjthëshme. Ajo është kryetare e partisë « Bashkimi Kombëtar « , parti e cila e mbante emrin Fronti Nacional në kohën e të atij të saj Jean- Mari le Pen, një antiislamik i përbetuar.
Në shumë vende të perëndimit me traditë të gjatë demokratike si dhe me standardeve e deri më sot bëhet një debat i ashpër rreth definimit të multikulturalzmit dhe identitetit kombëtar. Dhjetëvjetshin e fundit civilizimi evro-perëndimor përballet me një valë të lëvizjeve politike ultra të djathta të cilat përpiqen që t’i shtyjnë anash partitë socijaldemokrate, socialiste, liberale dhe konzervative dhe dalëngadalë të bëhen faktorë aktivë politik në përbërjen e qeverive.
Në Francë sinonim për krijimin e kombit dhe kulturës së pastër franceze ishte më parë Jean-Marie le Pen i cili tash ndiqet nga e bija e tij Marine le Pen.
Ai e arriti kulmin e famës së tij politike kur në presidencialet e vitit 2002 e mundi kandidatin e njohur socialist Lionel Jospin dhe në rundin e dytë me 17,50% të votave humbi nga Jacques Chirac.
Platforma politike e kryetarit të Frontit Nacional Jean-Marie le Pen ishte antiislamike duke bërë një dallim mes “muslimanëve të huaj” (të ardhur në Francë nga vendet e Maghrebit) dhe “muslimanëve francez” të cilët asnjëherë nuk kanë synuar francezëve t’jua imponojnë kulturën e tyre, asnjëherë nuk kërkuan të ndërtojnë atë që kërkojnë tash (xhami me minare te larta-shënimi im) “muslimanët e huaj”, deklarohet ai, dhe tash Evropa përballet me rrezikun të vërshohet nga valët e imigrantëve. ( )
Jean-Marie le Pen i përkrah idetë politike të ultranacionalistit të njohur hollandez Geert Wilders të cilat janë: respekti i zakoneve të vendit, dokeve dhe kulturës dhe gjuhës së tyre. Kjo është edhe kërkesa e Le Pen sepse kur ai e viziton ndonjë vend islamik si turist ai i respekton doket dhe kulturat e tyre.
Megjithate kanë një dallim të madh vizitat e Le Pen vendeve islamike si turist dhe respektimi i dokeve dhe zakoneve franceze nga “francezët e rinjë”, gjenerata të dyta, treta dhe të katërta të muslimanëve të lindur në Francë nga epoka postkoloniale kur si rezultat i politikave diskriminatore ata nuk kanë arritur të integrohen në shoqëritë e tyre, por megjithate janë shtetas francez të diskriminuar që në vete e bartin mllefin e së kaluarës kur francezët të parët e tyre i kanë eksploatuar fizikisht dhe ekonomisht.
Për këtë Macron konstaton se kolonializmi ka lënë vrragë të thella në shoqërinë franceze gjë që reflektohet në marrëdhëniet ndërkonfesionale tash. Francezët e rinjë dhe pasaportë janë shtetas të Francës por statusi i tyre shoqëror është muslimanë ose imigrantë, njerëz të ardhur nga Maroko, Tunizi, Libani, etj. por njerëz të padëshirueshëm në qytetet franceze.
Strukturimi i Islamit në Francë sipas Macron në vija të shkurtëra do të thotë afrim i pozicioneve liberaliste franceze me ato ultranacionaliste të Jean_Marie le Pen dhe bijës së tij Marine le Pen sepse ideja e integrimit të muslimanëve në Francë ku jetojnë mbi 6 milion muslimanë është e pamundëshme dhe e parealizueshme sipas këtij koncepti: nuk ka forcë e cila mund t’i detyrojë muslimanët të ushqehen në ndërmarrjet publike apo private në kuzhina të përbashkëta ku përgatiten ushqime të ndaluara nga kultura dhe gastronomia muslimane. Nuk ka mundësi të realizohet në përpikmëri larja e përbashkët meshkuj dhe femra në pishina sepse në vendbanimet ku shumica e popullatës është muslimane ata e kanë ndërtuar edhe infrastrukturën e tyre që nga restoranet, shkollat dhe institucionet kulturore. Muslimanët në Francë, Belgjikë, Mbretëri e Bashkuar jetojnë në lagje të veçuara, të getoizuar, të diskriminuar, një pjesë e madhe e tyre edhe të papunë. Të gjindur jashtë proceseve shoqërore ata janë të detyruar të jenë objekt i mashtrimeve të ndryshme dhe fitimit të parasë në mënyra jashtëinstitucionale, në raste të shpeshta duke u marrur edhe me veprime terroriste.
Vështrimet politike për identitein nacional francez dallojnë nga mendimet e Jean-Marie le Pen dhe bijës së tij Marine le Pen. Franca me shekuj është sinonim i ndërtimit të shtetit sipas konceptit jakobinist të shtetit-komb ku përcaktohet se të gjithë qytetarët e saj janë francezë pa marrur parasyshë prejardhjen e tyre gjeografike, etnike e religjioze.
“Franca, nuk është një racë, nuk është bashkësi etnike. Franca është bashkësi vlerash(….) Franca është një union i atdheve të cilët bashkohen dhe japin një atdhe të madh” deklaronte dikur në zgjedhjet presidenciale ish presidenti francez Nikola Sarkozy( ) .
Qëndrimet e ish presidentit Sarkozy ndaj imigracionit dallojnë shumë nga qëndrimet e ultranacionalistëve Le Pen sepse ai angazhohej për politikë reale të imigracionit, dhe pledoaje e tij për këtë është: “ Franca duhet t’i pranojë francezët e rinjë, francezët të cilët kanë ardhur nga larg. Ne i përqafojmë ata me identitetin vetanak, por ata të cilët na bashkangjiten duhet ta pranojnë idenë se Franca vjen nga shumë larg, se ajo ekziston para atyre dhe se Franca është bartëse e vlerave, të cilat vlera duhet të respektohen dhe përparohen; gratë në Francë janë të lira njësoj si mashkujt, ata janë të lirë të martohen, të lirë ta ndërprejnë bashkëshortësinë, femrat janë të lira për abort. Barazia mes mashkullit dhe femrës është pjesë e identitetit tonë. Franca është një ideal të cilin duhet ta përqafojsh ose refuzojsh. Unë kuptoj se mundet ta refuzojsh por nëse e përqafojsh atëherë Francën duhet ta duash” (7).
Qëndrimet e socialdemokratit Macron ndaj imigracionit janë identike me ato të paraadrhësve të tij demokratë por dallojnë rrënjësisht nga qëndrimet e ultranacionalistëve freng dhe më gjërë.
Edhe pse koncepcionet politike midis ultranacionalistëve dhe demokratëve e liberalëve dallojnë shumë për nga esenca dhe filozofia e zhvillimit ekonomik, kulturor e politike herë por here afrohen aq shumë sa është vëshirë të dallojsh se cili kamp politik është autor i koncepcioneve të njejta për nga përmbajtja varësisht nga konteksti kur ato plasohen në opinion. Poqese këto ide plasohen pas zgjedhjeve (qofshin komunale, regjionale apo parlamentare ose presidenciale vokabulari politik është më i butë ndërsa kur prononcohen para zgjedhjeve fjalori i tyre politik është shumë më i ashpër nuk dallon nga provinienca politike.
Nga kjo shihet qartë pse Macron doli në opinion me idenë e strukturimit të Islamit dhe reformës iluministe të Islamit në Francë. Në zgjedhjet lokale në mars dhe qershor të këtij viti partia e tij “Republika në ecje” pësoi disfatë në zgjedhjet lokale ku kandidatët e saj ishin në vendin e dytë, të tretë apo të katërt. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017 ultranacionalistja Marine le Pen e ndoqi haps pas hapi presidentin Macron.
Athua në vitin 2022 “Republika në ecje” do të vazhdojë të qeverisë me platformën e saj pas zgjedhjeve të ardhëshme parlamentare do të varet shumë edhe nga qëndrimi i Macron ndja imigracionit, muslimanëve, etj. etj.