Eskobar: Disa politikanë vendas në rajon s’bashku me Rusinë duan destabilitet

Ndihmës sekretar i shtetit amerikan, Gabriel Eskobar bëri thirrje për qetësimin e tensioneve të fundit në veri të Kosovës dhe insistoi në vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Escobar beson se Rusia po përpiqet të ndikojë në ngjarjet në rajon, por se në ngjarje të tilla, siç i quajti ai, ndikimi destabilizues i politikanëve dhe lojtarëve vendas është më serioz.

“Unë do të thosha se, me pak përjashtime, ajo që po ndodh në Ballkan është rezultat i faktorëve në vetë Ballkanin. Ajo që ndodh në veri të Kosovës është punë e të dy vendeve dhe prandaj është e rëndësishme që liderët e dy vendeve të takohen në Bruksel dhe nën kujdesin e procesit të udhëhequr nga BE-ja dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet në veri. Rusia po përpiqet të luajë një rol, por ai rol nuk është aq i rëndësishëm sa sjellja destabilizuese e disa politikanëve dhe aktorëve që veprojnë brenda vetë Ballkanit Perëndimor”, tha Gabriel Escobar. (INA)