Eurodeputeti bullgar dhe bashkëkryetari i VMRO-BND, Angel Xhambaski kërkoi ndërprerjen e negociatave të Maqedonisë me Bashkimin Evropian.
“Kërkoj që të ndërpriten proceset për fillimin e negociatave për anëtarësim mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian. Pas tentativës për vrasje të motivuar vetëm dhe vetëm nga urrejtja etnike ndaj bullgarëve në Maqedoni, që është pa dyshim sulmi ndaj një bullgari maqedonas në Ohër për shkak se ai është bullgar, i dërgova sinjale të njëpasnjëshme Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian.Bullgaria të mos lejojë Maqedoninë e pareformuar të negociojë për anëtarësim në Union. Ata na folën për vlerat evropiane, madje presidenti Macron bëri propozimin e tij dhe Bullgaria ra dakord”, deklaroi Xhambaski, përcjell INA.
Sipas tij, dhe tani ky është rezultati, ku gjysmë viti më vonë, një bullgar nga Maqedonia ndodhet në spital pas një tentativë vrasjeje.
“Për këtë arsye unë insistoj në një reagim të menjëhershëm nga institucionet evropiane. A duhet të vritet dikush për të marrë trajtimin e duhur nga Bashkimi Evropian kundër shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut? Unë insistoj që qeveria bullgare, këtë e kam kërkuar tashmë nga kryeministri zyrtar, të dërgojë një avion ushtarak për ta çuar Kristian Pendikovin dhe familjen e tij në një vend të sigurt në Sofje për mjekim. Dhe të mos harrojmë! Përgjegjës të drejtpërdrejtë për këtë sulm janë autorët dhe nxitësit e tyre të propagandës serbo-bolshevike në Shkup. Por fajin indirekt e kanë tradhtarët kombëtarë nga “koalicioni Macron”, shkruan Xhambaski.(INA)