Nuk ka pasur ultimatum ndaj Serbisë, ka thënë Viola Von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, në një intervistë për numrin e sotëm të gazetës serbe “Vremena”.
Këtë deklaratë ajo e ka bërë në përgjigje ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili takimin e fundit me pesëshen e Quint-it e cilësoi si vendosje ultimatumi – ose pranim i planit franko-gjerman ose pezullim i integrimeve evropiane.
“Jini të sigurt se ne nuk jemi këtu për të vendosur ultimatume. Përfaqësuesit perëndimorë kanë ardhur me mirëbesim për t’u ofruar Serbisë dhe Kosovës një rrugë përpara”, tha eurodeputetja gjermane.
Duke theksuar se dialogu i Brukselit ka 12 vjet që vazhdon, ajo tha se bisedimet duhet të vazhdojnë “për thelbin, atë që është në diskutim në planin e BE-së”.
“Është e qartë se të gjithë në Serbi e dinë se pa një marrëveshje për Kosovën, nuk do të ketë integrim në BE. Prandaj nuk mendoj se është çështje të konkludohet se integrimi evropian nuk do të avancojë nëse marrëveshja dështon – kjo është e qartë”, theksoi Viola von Cramon.