EVN i krijon telashe banorëve të Runicës së Likovës

Mëngjesi i sotëm i ka gjetur banorët e fshatit Runicë, malësia e Kumanovës, pa rrymë elektrike, raporton gazeta Lajm.
Lajmin e ka bërë të ditur për redaksinë tonë kryetari i fshatit Ibrahim Kurtishi.
“Dje nuk kemi lejuar që EVN të vendosë orët në fshat dhe ata sot në mëngjes na e kanë ndalur rrymën. Ne jemi këtu zonë kufitare. Ne kërkuam nga përgjegjësit që së pari orët t’i vendosin nëpër fshatrat maqedone dhe pastaj të vinë këtu. Asnjë fshat maqedone nuk i ka të vendosur orët, në këtë rajon”, tha Kurtishi.
Kushtet e vështira të familjeve, zona malore, pa rrymë në këtë kohë dimri është alarmante për më shumë se 15 shtëpi që jetojnë atje.

Lidhur me këtë problem ka reaguar LSDM-ja e Likovës, duke kërkuar që sa më shpejtë të tejkalohet ky problem dhe të rregullohet furnizimi i fshatit me rrymë elektrike. LSDM në Likovë rikujton se në këto temperatura të ulëta banorët e asnjë fshati, e posaçërisht fëmijët dhe pleqtë nuk guxojnë të jetojnë pa rrymë.