Bashkimi Evropian ka nënshkruar një marrëveshje prej 10.6 miliardë eurosh për të nisur afro 300 satelitë në orbitën e ulët dhe të mesme të Tokës deri në vitin 2030 dhe për të krijuar infrastrukturën për të rivalizuar sistemin Starlink të miliarderit amerikan Elon Musk.
Brukseli dëshiron të përmirësojë sovranitetin e tij dixhital me ndihmën e teknologjisë hapësinore dhe të sigurojë komunikim të sigurt për qeveritë e BE-së, raporton Tech Crunch.
Projekti Iris (Infrastruktura për Rezistencën, Ndërlidhjen dhe Sigurinë nëpërmjet Satelitit), i shpallur për herë të parë në vitin 2022, është një partneritet publik-privat, vlerësimi fillestar i kostos së të cilit u rrit me 76 për qind gjatë procesit të negociatave.
Programi i lëshimit të satelitit do të financohet me 61 për qind të parave publike, ndërsa pjesa tjetër e fondeve do të sigurohet nga konsorciumi SpaceRise, i cili bashkon tre kompani të mëdha evropiane – SES, Eutelsat dhe Hispasat.
Sistemi satelitor Starlink në pronësi të Elon Musk ka tashmë rreth 6000 satelitë në orbitën e Tokës dhe së fundmi ka kaluar shifrën e katër milionë abonentëve.