“Falimenton” Rusia, hera e parë nga 1918-ta

Për të parën herë që prej revolucionit Bolshevik, Rusia nuk arrin të paguajë borxhin e jashtëm. Pas raporteve se Moska ka dështuar të shlyejë rreth 100 milionë dollarë interesa për dy obligacione gjatë një periudhe 30 ditore lëshimi që i ishte bërë, por që përfundoi të dielën, Shtëpia e Bardhë u shpreh se një zhvillim i tillë tregon fuqinë që kanë pasur mbi këtë vend masat e ashpra perëndimore të vendosura pas fillimit të sulmit në Ukrainë.

“Njoftimet mbi këtë dështim të Rusisë për të shlyer borxhin për herë të parë që nga 1918-ta, tregojnë sesa i fortë ka qenë reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj, dhe cfarë ndikimi dramatik ka pasur ai mbi ekonominë ruse”, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane që po merr pjesë në samitin e G7-tës në Gjermani.

Moska vetë i mohon të tilla informacione; ajo pretendon se pagesat janë bërë në 27 maj në dollarë dhe në euro, por thotë se paratë janë bllokuar nga Euroclear, një kompani shërbimesh financiare me bazë në Belgjikë, e specializuar në shlyerjen e transaksioneve të letrave me vlerë.

“Ky është një ngërc që shkaktohet prej sanksioneve perëndimore kundër vendit tone dhe nuk është problemi ynë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov.

Një mungesë e tillë historike e aftësisë për të paguar ishte deri diku e pritëshme, duke qenë se për shkak të sanksioneve, gjysma e rezervave valutore të Rusisë jashtë kufijve ishin ngrirë.

Top Channel