Familja shqiptare me gjashtë fëmijë do të deportohet nga Franca

Prefektura e Komunës Doubs në Francë, ditë më parë ka njoftuar se një familje shqiptare me gjashtë fëmijë, do të dëbohet nga territori francez. Kjo familje, e cila ka jetuar për dhjetë ditë në një garazh të papërdorur në Planoise, Besançon, duhet të pranojë një detyrim të largohet nga Franca.

Familja shqiptare nga Planoise duhet të largohet nga Besançoni dhe të kthehet në vendin e saj të origjinës. Prefektura e Doubs njoftoi se gjashtë fëmijët, të moshës nga 15 muaj deri në 16-vjeçare dhe dy prindërit e tyre, në ditët në vijim do të marrin një OQTF (detyrimi për të lënë Francën). Familja ka jetuar për dhjetë ditë në çadra, brenda një garazhi të braktisur në rrethin Planoise, në Besançon.

Banorët e Planoise janë organizuar për të ndihmuar familjen. Ata mblodhën 300 euro në një apel në internet dhe shpresojnë të jenë në gjendje të vendosin familjen në një hotel në një kohë sa më të shkurtër. Kjo, pasi prefektura ka treguar se nuk mund të sigurojë strehim urgjent për familjen në pritje të kthimit të tyre në Shqipëri, informon Shtegu.com. Familja ndihmohet në procedurat e saj nga CDDLE (Kolektivi për Mbrojtjen e të Drejtave të Të Huajve). Sipas Viviane Camus, anëtare e kolektivit të ngarkuar me këtë çështje, prefektura nuk ka asnjë arsye për të refuzuar kërkesën për rishqyrtimin e kërkesës për azil të kësaj familje: “Ne nuk e dimë mbi çfarë baze mbështetet prefektura dhe ajo do të duhet të japë argumente kur ajo t`i dërgojë OQTF familjes”.

Për Viviane Camus, në bashkëpunim me një avokat, fakti që familja mori ndihmë për t’u kthyer në Shqipëri dhe e pranoi atë, nuk përbën një arsye të mjaftueshme për refuzimin e shqyrtimit të një kërkese të re: “Po, ata u kthyen në Shqipëri, por atje, ata pësuan diskriminim të mëtejshëm, ka dokumente të reja në dosje që justifikojnë një rishikim”. Familja dhe CDDP tani janë duke pritur që prefektura t`u dërgojë OQTF që më pas të paraqitet një apel në gjykatën administrative. Ky detyrim për të lënë Francën duhet t’i dorëzohet familjes në ditët në vijim nga policia, ose të depozitohet drejtpërdrejt në ambientet e shoqatës, pasi familja nuk ka ndonjë adresë.