Armin Hoxhiç, Niltinjo dhe Luan Abazi, janë përforcimet e fundit për FC Shkupi. Skuadra nga Çairi ka prezantuar tre prurjet e reja për sezonin e ri, me shpresë që të përmirësojë imazhin e dobët nga sfida e parë të sezonit të ri.
“Më vjen mirë që jam pjesë e Shkupit, me të cilin klub kemi plane të mëdha dhe kjo është arsyeja që kam ardhur këtu, që ti konkretizojmë planet tona dhe të jemi sa më të mirë. Jam shumë i lumtur që jam këtu, ku nga klubi më kanë pritur mrekullueshëm dhe po punojmë mjaft mirë”, është shprehur Hoxhiç për faqen zyrtare të klubit nga Çairi.
“Ndihem shumë mirë, të gjithë më kanë bërë pritje shumë të mirë dhe pozitive, gjithashtu edhe futbollistët më pritën shumë mirë! Kam ardhur këtu për të forcuar një grup që tashmë është shumë i mirë. Pritshmëritë janë shumë të larta, klubi ka objektivat e tij dhe ne do të mundohemi që ti arrijmë ato. Me punë, përkushtim dhe durim, së bashku me tifozët do të festojmë arritjet tona”, ka thënë Niltinjo, me të cilin Shkupi ka firmosur kontratë njëvjeçare.
Ndërkohë Luan Abazi te Shkupi vjen në formë huazimi nga FC Vill.
“Duke pare seriozitetin e kryesisë, jam i kënaqur me ardhjen time në FC Shkupi. Gjatë qëndrimit tim në kampin e U21 të Maqedonisë së Veriut, disa nga kolegët të cilët janë pjesë e FC Shkupit, me kanë treguar për planet dhe ambiciet e klubit. Kështu shpresoj që me golat e mi, të ndihmoj klubin në fund të sezonit të shpallemi kampion dhe të arrijmë sa më lartë në kupat evropiane”, ka thënë Abazi në prononcimin e parë si futbollist i Shkupit.
Sfida e radhës për FC Shkupin , do të jetë në fundjavë, kur takohet me Vardarin në transfertë./Alsat