Fehmiu 75 vjeç iku nga Maqedonia sepse nuk iu dha shtetësia (Video)

Shpesh i merr fotografitë dhe i shikon bashkë me burrin e saj.

Ajshja dhe Fehmiu u martuan e jetuan pothuajse gjithë jetën e tyre në Kumanovë të Maqedonisë.Para dy vjetëve u kishte ardhur një letër që i detyroi që ta lëshojnë vendin, për shkak Fehmiu nuk kishte shtetsi, të cilën po e kërkonte plot 41 vjet. Fehmiu tani 75 vjeçar thotë se nuk kishte zgjidhje tjetër.

“2017 ashtu siç shkruan aty, u deshtë ashtu siç shkruan me 23 gusht me ik prej aty ose të marrim me forcë me të nxjerrë. Thash jo bre po dal vetë unë pse me më nxjerrë”, u shpreh Fehmi Pajaziti.

Ata shitën shtëpinë në Kumanovë dhe u shpërngulën në Gjilan të Kosovës.

Tani jetojnë në një banesë.

Ajshja 69 vjeçe thotë se tani janë vetëm, pa familje, pa shoqëri. Ata kanë vetëm njëri-tjetrin.

Shpesh i merr malli për lagjen ku jetuan.

“Si në kurbet.

Me jetuar sa vjet mundin me lanë për asgjë shumë është keq, shumë keq është….

Unë te baba jem e kam lanë jam kanë e re, por tash ndryshe është kam jetuar 18 vjet, por 48 vjet prej viteve 70 jam e martuar.

Jemi të sëmur edhe nga sheqeri tani, ato prej çfarë vijnë krejt prej mërzitjes”, theksoi Ajshe Pajaziti.

Për shkak shtetësisë ata nuk janë rehat as në Kosovë.

Burri mund të qëndrojë, meqenëse ka leje qëndrimi, por jo edhe Ajshja që ka shtetësi të Maqedonisë.

Ajshja thotë se është e lodhur duke u shpërngulur nëpër vende dhe thotë se s’ka forcë më.

TV21: Ju tani në Kosovë nuk keni dokumente?

“Jo”.

“As që e kam ndërmend me shkua më”, shtoi Ajshe Pajaziti.

Ajsha e Fehmiu fëmijët i kanë të gjithë në kurbet të martuar e këtu në Gjilan kanë vetëm njeri tjetrin tani.

Ajshja e Fehmiu lindën në Preshevë në kohën e Jugosllavisë.

Gjatë asaj kohe kur nuk kishte kufi u shpërngulën për të jetuar në Kumanovë.

Ndërsa gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë e me vendosjen e kufijve ky çift mbeti në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut, e nga atje filluan problemet me shtetësinë.

Shkuam edhe në Kumanovë për të parë se ku kanë jetuar kjo familje, ashtu siç ishin të respektuar familja Pajaziti edhe familja e re që e kishte blerë shtëpinë ishin të respektuar por për shkak të privatësisë nuk deshëm ti shqetësojmë.

“Në këtë shtëpi në lagjen Bajram Shabani në Kumanovë jetoi Ajshja dhe Fehmiu thuajse një jetë, por u detyruan që për shkak të shtetësisë të jetojnë në Kosovë”.