FENIKSI

0

Nga Shkëlzen HALIMI

Nga hiri i zjarrit
të trupit tim
u ngrite ti zog
me plagën e shpirtit
dhe fluturove
qiellit pa yje
deri atje dhe përtej
lodhjes së pikëllimit
përtej paradokseve
të Zenonit

Kur u binde
se jeta nuk mbyllet
erdhe dhe u përplase
mbi zjarrin e trupit tim
dhe shpirtin e mbulove
me hirin e trupit tënde
pa më thënë lamtumirë

Derisa të më thahen
djersët e ballit
mos u ngrit drejt qiellit
se mund të të lagen flatrat
e të shuhet zjarri

(Nga libri në dorëshkrim, “Fund me pikë”)