Ferdinand Hysi çon dramën shqiptare në Zagreb, kroatët të entuziazmuar (FOTO)

0

Drama satirike “Tri mendje në ankand” e Ferdinand Hysit bën për vete publikun kroat. Kritika shprehet me superlativa për shfaqjen e dhënë në gjuhën kroate duke veçuar konceptin regjisorial të Leonard Hamitajt

Melita Oreškovič

Në Zagreb, më 13 tetor 2018, në sallën e Teatrit Mala Scena u shfaq premiera në kroatisht e dramës satirike të autorit Ferdinand Hysi “Tri mëndje në ankand” (“Tri mozga na prodaju”). Kjo dramë u vu në skenë nga Teatri Shqiptar në Kroaci “Mërgimtari”, me regji te Leonard Hamitaj dhe një kastë multinacionale aktorësh të Zagrebit. Premiera në Zagreb u ndoq nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli; kryebashkiaku i qytetit të Dugo Selo-s, Nenad Panian, në një sallë të mbushur plot e përplot nga një numër i madh artdashësish kroatë e shqiptarë dhe gazetarë kroatë. Premiera u prit shumë mirë nga të pranishmit, të cilët e duartrokitën gjatë në përshëndetjen e fundit të aktorëve, si dhe shprehën opinione dhe mendime nga më të mirat për realizimin e kësaj shfaqjeje, në një takim të ngrohtë me aktorët dhe organizatorët. Në premiere në Zagreb ishte i pranishëm dhe dramaturgu Ferdinand Hysi, që për këtë premierë u shpreh në gjuhën kroate se: “…kjo drame është dhënë disa herë në skenat e teatrove shqiptarë, premiera kroate është ndryshe për shkak të gjuhës kroate që i ka dhënë më shumë mundësi interpretative aktorëve”. Më pas ai duke u ndalur në disa përshtypje të tij personale për këtë shfaqje tha: “Ishte një punë shumë e pastër dhe shumë e bukur në radhë të parë e regjisorit Leonard Hamitaj, i cili duke i qëndruar besnik tekstit kishte gjetur elementë regjisorial që e bënë shfaqjen të prekshme për publikun kroat dhe atë shqiptar të pranishëm. Njëkohësisht më bëri shumë përshtypje dashuria dhe përkushtimi i kastës së aktorëve. Në çdo element të shfaqjes, ata ishin “dashuruar” me tekstin dhe e luanin atë me shumë pasion dhe dëshirë, duke respektuar deri në detaje, atë që regjisori kishte synuar me vënien në skenë të kësaj pjese. Doja të veçoja Leonardin në lojë skenike, jo vetëm për regjinë, por dhe për faktin se luante vetë në njërin prej roleve kryesore të dramës. I pari, që sipas mendimit tim personal ishte i realizuar me mjeshtëri, me shumë ekspresivitet dhe njëkohësisht me mjeshtërinë e tij aktoreske, si dhe që udhëhoqi gjithë grupin në realizimin me sukses të shfaqjes. Më bëri shumë përshtypje dhe publiku kroat, pasi ndoqi shfaqjen duke shfaqur kulturë dhe personalitet. Madje ata përcollën dhe mendimet e opininonet e tyre në takimet direkte. Teksti u përkthye nga Bashkim Fazliu, ndërsa shfaqjen e mbështeti Këshilli për Pakicat Kombëtare i Republikës së Kroacisë. Më pas kjo trupë teatrale shfaqjen e dha në disa qytete të tjera të Kroacisë: më 14 tetor, në qytetin e bukur bregdetar të Porečit, në sallën e shfaqjeve të Universitetit Popullor nën kujdesin e përfaqësuesve të komunitetit shqiptar të Istrës, Idris Sulejmanit e intelektuales Florina Lumezi, ku u ndoq nga një publik i madh dhe nga vetë autori Hysi; më 20 tetor shfaqja u dha në qytetin e Zarës, në sallën e Teatrit të Kukullave të këtij qyteti nën kujdesin e përfaqësuesve të këshilltarëve shqiptare Adem Shalës e Nue Mrijaj, ku u ndoq nga shume artdashës kroatë e shqiptarë. Ndërsa më 27 tetor 2018 kjp dramë satirike u ndoq në sallën e Teatrin “Branka Mihaljevića” të qytetit të Osijekut, nga e Konsulli i Nderit të Shqipërisë, Basri Alitit, përfaqësues i komunitetit shqiptar të Sllavonisë, si dhe një publik i gjerë ku dominonin të rinjtë. Slavica Šarović, gazetare e Radio Martin dhe kryeredaktore e portalit kroat “nacionalnemanjinehr” që ndoqi premierën në Zagreb u shpreh: “…Teatri Mërgimtari promovon në mënyrën më të mirë të mundshme autorët shqiptarë në kroatisht. Në këtë premiere ishte një grup brilant aktorësh, Leonardi me mjeshtëri luajti rolin e të çmendurit, gjithashtu edhe të tjerët aktorët Enisa Majer, Arijana Bali, Vedran Kojić, Miroslav Medaković dhe Oldrich Husak”. Madje Šarović këtë shfaqje e cilësoi si versioni i dytë i “Fluturim mbi folenë e frikacakëve”.Teatri Shqiptar Mërgimtari, që vepron në kuadër të Shoqatës Teatrale Shqiptare në Kroaci me të njëjtin emër është i njohur për publikun shqiptare e kroat prej disa vitesh, kjo edhe falë vënies në skenë të disa veprave të dramaturgëve shqiptarë në gjuhën shqipe. Përmendim këtu komedinë e autorit kroat Miro Gavran “Burri i gruas sime” vënë në skenë në gjuhën shqipe; tragjikomedinë e Armand Borës “Ata hyjnë pa trokitur” vënë në skenë në gjuhën kroate. Shfaqjet e teatrit “Mërgimtari” i ka ndjekur dhe publiku i rajonit në turnetë e tij në Koper të Sllovenisë, Linz të Austrisë, Stuttgard të Gjermanisë etj. Teatri Mërgimtari ka gjetur mbështetjen e institucioneve lokale kroate e veçanërisht të kryebashkiakut të Zagrebit Milan Bandić, si dhe ka tërhequr vëmendjen e medieve e televizionit shtetëror kroat HRT1 dhe të televizioneve lokale Jabuka tv, Mrezatv, Z1. Ky teatër,tashmë i afirmuar në skenat kroate bën më se mire gërshetimin e dy kulturave shqiptare e kroate, promovimin e dramaturgeve kroatë në gjuhën shqipe dhe të autorëve shqiptarë në gjuhën kroate, që shume pak janë te njohur nga lexuesi kroat.

Tri mendje në ankand

Drama satirë “Tri mendje në ankand” para disa vitesh është shpallur dhe fituese e çmimit të parë në Festivalin Mbarëkombëtar Teatror që u zhvillua në Tiranë. Në festival ajo u luajt nga trupa e aktorëve të Teatrit të Vlorës “Petro Marko”. Shfaqja ishte nën regjinë e Armand Borës, dhe në kastin e aktorëve ishin dhe emra të njohur të teatrit si Bujar Asqeriu, Kristaq Skrami, etj. Veprat teatrore që mbajnë firmën e Ferdinand Hysit si autor janë të shumta. Në skenën e Tiranës para dy vitesh publiku pa një tjetër vepër të shkruar nga ai, drama satirë “Një Tabllo Absurde” vënë në skenë më 2011 nga Teatri Kombëtar Tiranë. “Në qendër të dramës janë tre të çmendur që duan të zënë vrimat në muret e psikiatrisë së tyre. Në jetë që kanë pasur para se të vijnë në çmendi, ata kanë qenë intelektualë ,por tashmë fati i ka sjellë në çmendi. Gjithçka për to është o majtas o djathtas. I treti që nuk ka bindje majtas-djathtas në fakt përpiqet që t’i kënaqë që të dy. Në debatin se si do i mbyllin vrimat e çatisë , shfaqet një zonjë e huaj amerikane e shoqatës “Zoti e do psikiatrinë” e cila mundohet t’i ndihmojë me këshilla. Mes tyre është edhe një e çmendur tjetër me emrin Popi, që ato i thonë populli, dhe në fakt në mendimin tim, atë përfaqëson. Është një personazh që nuk flet, por vuan atë që të tjerët bëjnë në kurriz të saj. Edhe sanitarja që u shërben, brenda çmendurisë së tyre mundohet t’i ndihmojë që t’i zënë këto pika. Dhe sarkazma qëndron se këto pika ata mundohen t’i zënë me çadra të çara dhe oturakë për të mbledhur pikat” ka shpjeguar Hysi.

Aforistika psikologjike e një kënge dhe Franc Koruni mes dijes dhe biofilisë

Drini Ajdinlli, regjisor