Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai përmes një reagimi në rrjetet sociale ka kujtuar dhe sqaruar të vërtetën për Ligjin për branitellat, duke shkruar “Një sqarim i domosdoshëm rreth pafytyrësisë së DUI-t dhe patericave”.
“Ligji për branitellat është lajm i vjetër, por që vazhdimisht e dëshmon karakterin manipulues të DUI-t dhe mungesën e plotë të ndërgjegjes morale të përfaqësuesve të saj.
Ky ligj, i cili u miratua për herë të parë më 2002 me mbështetjen e turpshme të PDSH-së, u amandamentua disa herë me votat e DUI-t për të zgjeruar benefitet e branitellave, duke u kthyer në një shembull flagrant të tradhtisë politike ndaj interesave të popullit shqiptar.
Ligji u amandamentua në vitet 2003, 2004, 2007 dhe 2021. Natyrisht, DUI asnjëherë nuk bëri asgjë për ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe familjet e dëshmorëve, por vetëm thelloi diskriminimin ndaj tyre duke rritur benefitet për branitellat.
Sa i përket deputetes së DUI-t, Ilire Dauti, e cila sot shitet si patriote dhe luan rolin e viktimës, është e rëndësishme të kujtojmë se e njëjta, bashkë me deputetët e tjerë të DUI-t, votoi në janar të vitit 2024 për të futur këtë ligj në procedurë parlamentare. Hipokrizia e tyre është dëshmi e qartë se interesi shqiptar është gjithnjë i fundit në rendin e tyre të prioriteteve. Prioritet i tyre ishin Llotaria dhe Soravia. Halli i tyre është drejtësia”, shkroi Fetai.(INA)