Filipçe kërkon nga Gjermania kthimin e infermierëve

0

Për të zbutur situatën emergjente të infermierisë në Gjermani, ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn synon të financojë shkollimin e tyre jashtë vendit. Ballkani nuk është shumë entuziast për këtë iniciativë.

Në marrëveshjen e koalicionit qeverisës gjerman të partisë CDU/CSU dhe asaj socialdemokrate shënohet: në të gjithë Gjermaninë do të punësohen 8.000 infermierë. Ndërkohë kjo shifër është korrigjuar më lart, tani fjala është për punësimin e 13.000 infermierëve të rinj.

Reservuar infermierësh në Ballkan

Megjithë këtë korrigjim, kjo shifër nuk do të mjaftojë, sepse gjendja është edhe më dramatike. Për shkak të mungesës së infermierëve, shumë të moshuar në qendrat e të moshuarve nuk marrin kujdesin e duhur. 36.000 vende pune në infermieri janë të pazëna, 15.000 prej tyre në qendrat e të moshuarve. Akoma më urgjente paraqitet gjendja në kujdesin shëndetësor në shtëpi. Sipas prognozave, deri në vitin 2060 numri i të moshuarve që do të kenë nevojë për kujdes shëndetësor do të rritet nga 2,86 milionë aktualisht në 4,5 milionë në Gjermani.

Tani ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn (CDU) ka dalë me një propozim të ri, se si mund të zgjidhej kjo situatë emergjente. Ai parasheh që forcat e nevojshme për kujdesin shëndetësor në Gjermani t’i trajnojë jashtë Gjermanisë. „Nga komisioni parlamentar buxhetor kemi edhe marrë edhe një shumë prej 9 milionë eurosh”, i tha ai një gazete gjermane në një intervistë të enjten.

Me këto para mund të gjenden partnerë jashtë Gjermanisë që të shkollojnë forca punëtore për kujdesin shëndetësor në Gjermani. Forcat e ardhshme punëtore, sipas ministrit, do duhet të mësojnë gjermanisht që në vendin origjinë. Si vende të mundshme për një projekt të tillë parashikohet Kosova, Maqedonia, Filipinet dhe Kuba.

Në Ministrinë e Shëndetësisë në Maqedoni është përpunuar një propozim, me të cilin të dyja palët mund të përfitojnë. Shkupi propozon, që në bashkëpunimin me Gjermaninë të zbatohet parimi i rotacionit. Mjekët, infermierët e forcat e kujdesit shëndetësor mund të punojnë përkohësisht për gjashtë muaj në Gjermani, kështu ata përmirësojnë dijen profesionale, mbledhin përvoja, dhe fitojnë të ardhura më të mira. Pas kësaj ata do duhet të kthehen në Maqedoni. Kështu vendlindja që ka investuar në arsimin e tyre do të përfitonte nga dijet e reja.

Sipas ministrit maqedonas të Shëndetësisë, Venko Filipce, zgjidhja duhet kërkuar në planin rajonal. „Qëndrimi ynë është që adresimi t’u bëhet të gjitha vendeve të rajonit për një bashkëpunim me Gjermaninë. Këtu mund të flitet për një parim rotacioni dhe jo thjesht për largim nga vendi”, thotë Filipce në një prononcim për Deutsche Wellen.

Nëse do të ketë një zgjidhje të tillë, nuk dihet. Joana Bocaj nga Vlora nuk pret. Ajo e ka marrë ndërkohë diplomën e gjuhës gjermane për të punuar në Gjermani. Edhe pak kohë dhe ajo do të udhëtojë drejt Gjermanisë.(INA)