Filipçe: Nuk ka nevojë për dyshime në asnjërën vaksinë!

Në emisionin “10 Minuta” në TV21, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se të gjitha vaksinat që janë në treg janë të mira dhe të zhvilluara në platforma të sigurta. Ai shtoi se nuk ka nevojë për dyshime në asnjërën vaksinë.

“Për momentin të gjithë vaksinat që janë në treg janë të mira, të konfirmuara, të zhvilluara në platforma të sigurta dhe nuk ka nevojë për dyshime në asnjërën vaksinë, ndërsa ne mbetemi të hapur për të shqyrtuar të gjithë opsionet”, u shpreh në emisionin “10 Minuta”, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Kleksani ka kërkesë të madhe dhe ka momente të caktuara kur rezervat zvogëlohen, por janë dyfishuar sasitë nga 4.500 në 8.000, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në “10 Minuta”.

“Kleksani ka me të vërtetë kërkesë të madhe në këtë periudhë, ka momente të caktuara kur rezervat zvogëlohen dhe në këtë drejtim bëhet shpërndarja e operatorëve që e sjellin. Ne edhe tani ishim në komunikim të vazhdueshëm me furnizuesit. Janë dyfishuar sasitë në dhjetorë, nga 4.500 në 8.000 dhe kjo do të ndodh edhe në këtë dhe muajt e ardhshëm”, potencoi Venko Filipçe në “10 Minuta”.

Ai njoftoi se po shqyrtohet mundësia për blerjen e vaksinës kineze.

“Sipas paralajmërimit, vaksinat e para të Pfizer duhet të arrijnë në muajin shkurt dhe tani në mënyrë më intensive po i shqyrtojmë mundësitë për blerjen e vaksinës kineze. Pse? Jemi të vetëdijshëm, kompania Pfizer është kompania e parë që i fitoi dokumentet e para nga trupat rregullatorë, por megjithatë nuk mund të arrijë të dorëzojë sasitë e kërkuara në gjithë vendet e botës”, tha ministri Filipçe.