LSDM akuzon VMRO-DPMNE-në se për 6 muaj në pushtet ka shkaktuar pasiguri të madhe ekonomike të qytetarëve, duke numëruar rritjen e çmimeve të produkteve dhe stagnimin në pjesën e rritjes së pagave minimale e mesatare si dështime të kësaj qeverie, shkruan Alsat.
Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe tha se me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet qytetarët jetojnë më keq, institucionet janë partizuar ndërsa është partizuar edhe gjyqësori.
Filipçe nënvizoi se asgjë nga ajo që është premtuar gjatë fushatës nuk është realizuar, ndërsa dështime hasen në të gjitha sferat si arsim dhe shëndetësi.
“Gjatë gjashtë muajve të fundit kemi dëgjuar propozime të ndryshme për platforma kombëtare, por është për të ardhur keq se si partitë në pushtet e përdorin termin ‘bashkim’ për ndarje politike. Megjithatë, LSDM nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë opozitë jokonstruktive. Po bëj një ofertë reale, jo një të rremë që krijon ndarje. I ftoj të gjithë të krijojmë së bashku një strategji shtetërore që është mbi-partiake, mbi-nacionale dhe mbi-etnike. Të krijojmë një platformë ku të gjitha partitë të kenë kontributin e tyre dhe askush të mos e zotërojë atë. Të bashkohemi në një platformë që garanton përparim, të bazuar në mundësi reale dhe plane konkrete. Këtë po e kërkojnë qytetarët nga ne”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së./ Alsat.mk