Fillimet e pluralizmit ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut

0

NGA MUHAMED HALILI/

Shtetet e Evropës Juglindore disa dekada ishin nën sundimin e drejtëpërdret të ish Bashkimit Sovjetik si pasojë e doktrinës së sovranitetit të kufizuar të udhëheqsit sovjetik Leonid Brezhnjev. Shkatrimi i Murit të Berlinit pasoi edhe shkatrimin e aleancës ushtarake të quajtur Pakti i Varshavës me çka pëfundoi edhe epoka e luftës së ftohët.

Lëvizjet demokratike në shtetet e Evropës Lindore si Çekosllovakia dhe Hungaria në vitet 1956 dhe 1968 përfunduan në mënyrë të përgjakëshme, me shtypjen e revolucioneve demokratike. Dobësimi ekonomik e ushtarak i Bashkimit Sovjetik ( BRSS) solli ringjalljen e lëvizjeve demokratike në këto vende dhe vendosjen e sistemit shumëpartiak. Paraprijës të këtyre proceseve ishin demonstatat e Lëvizjes sindikaliste “Solidarnosc” të aktivistit Lech Walesa dhe lëvizjet demokratike në Çekosllovaki nën udhëheqjen e intelektualit dhe shkrimtarit Waclav Havel.

Zhvillimi i lëvizjeve demokratike në federatën jugosllave solli rezultat pavarësimin e Sllovenisë dhe Kroacisë.

Në Maqedoni ndryshimet demokratike nuk ishin rezultat i lëvizjes së masave popullore por rezultat i transformimit të Lidhjes së komunistëve dhe mbajtjes së zgjedhjeve të para parlamentare me ç’ rast u formua partia e parë shqiptare -Partia për Prosperitet Demokratik e cila më vonë nga veprimet destruktive të disa shërbimeve intelegjente evropiane e vendore pas një veprimi të sukseshëm politik u zhduk nga skena politike.

VITET E PARA TË PLURALIZMIT POLITIK

Erërat e pluralizmit demokratik në Evropën juglindore kah fundi i viteve të tetëdhjeta të shekullit të shkuar bëheshin gjithnjë e më të forta falë një përkushtimi të gjermanëve udhëhequr nga kancelari gjermano-perëndimor Helmut Kohl për bashkimin e dy Gjermanive të ndara në katër zona influence pas Luftës së dytë botërore.

Rënia e murit të Berlinit më 3 tetor 1990 nxiti lëvizjet demokratike në vendet e lindjes siç ishin Polonia dhe Çekosllovakia. Prijatarët e këtyre erërave demokratike në Poloni e Çekosllovaki ishin lideri sindikalist Lech Walesa dhe intelektuali dhe shkrimtari i njohur Vaclav Havel. Përderia vendet baltike bënin përpjekje që dobësimin e Bashkimit Sovjetik ta shohin si shansë për tu bërë shtete të pavarura, kjo frymë demokratike gjithnjë e më shpejtë përhapej kah lindja.

Federata jugosllave edhe pse bëri përpjekje të llojllojshme për t’u ikur këtyre ngjarjeve nuk mundi ti përballojë këto trende sepse në dy republikat e saja më të zhvilluara siç ishin Sllovenia dhe Kroacia lëvizjet separatiste ishin të pranishme qysh në kohën sa ishte gjallë Mareshali Tito, udhëheqësi i luftës për çlirimin e Jugosllavisë nga okupimi gjerman. Edhe pse Tito me akrobacionet e tia politike shpesh kishte sukses nga skena politike t’i eliminojë politikanët rebelë të republikave të ndryshme, pas vdekjes së tij tendencat e shkatrimit të federatës bëheshin gjithnjë e më të dukshme.

Lëvizjet demokratike në Evropë sollën pluralizmin politik në Rumuni dhe Hungari dhe pavarësimin e Sllovenisë dhe Kroacisë, pavarësim i cili nuk pranohej nga Sllobodan Millosheviq, udhëheqës i Lidhjes së komunistëve jugosllav dhe njeri me ndikim të madh në establishmentin ushtarak të Armatës së Jugosllavisë së atëhershme.

Lëvizjet për demkraci dhe pluralizëm politik në vitet e para të dekadës 90 të shekullit të shkuar ishin më të shprehura nëpërmjet krijimit të partive të para demokratike dhe forumeve politike ne vende të ndryshme e posaçërisht në Zagreb të Kroacisë të udhëhequra nga politikologu Branko Horvat . Ai u përpoq të krijojë një front të gjërë demokratik nëpërmjet themelimit të forumit të tij të quajtur UJDI ( Nisma e bashkuar demokratike) me influencë në tërë federatën por suksesi i kësaj nisme mbeti afatshkurtër fill pas paraqitjes në skenë të HDZ (Hrvatska Demokratska Zaednica) së gjeneralit nacionalist Franjo Tugjman.

Lideri karizmatik kosovar Ibrahim Rugova në vitin 1989 themeloi lëvizjen “Lidhja Demokratike e Kosovës”-LDK, një lëvizje e krijuar nga ana e profesorëve dhe studentëve që kundërshtonin metodat e okupimit serb të Kosovës dhe synonin krijimin e republikës së pavarur në kuadër të federatës jugosllave bazuar në Platformën mbarëshqiptare të Këshillit koordinues të partive politike shqiptare. Ndikimi politik i LDK-së së Rugovës u përhap në të gjitha trojet e Jugosllavisë ku jetonin shqiptarët.

Në Maqedoni, pas vdekjes së liderit jugosllav mareshalit Tito , politika maqedonase ra nën ndikimin e politikës serbe; filloi të bëjë eksperimente të matjes së shkallës së durimit të shqiptarëve të kësaj republike duke ua mohuar dhe shkurtuar të drejtave të fituara gjatë 5 dekadave të krijimit dhe zhvillimit të Jugosllavisë. Këto eksperimente kishin të bëjnë më së shumti me shkurtimin e të drejtave në arsim, ndalimin e përdorimit të simboleve kombëtare dhe reduktimin e të drejtave gjuhësore. Këto masa patën si rezultat përjashtimin e arsimtarëve nga puna, krijimin e paraleleve shkollore me përbërje të përzier etnike ku mësimi zhvillohej kryesisht në gjuhën maqedonishte, rrëzimin e mureve tradicionalisht të larta të oborreve shqiptare etj.

Kufizimi i të drejtave kombëtare me ndryshimet kushtetuese të vititi 1989, me amandamentin 56 të Kushtetutës ku shqiptarëve u merret statusi konstituent i ashpërsoi dukshëm marrëdhëniet ndërnacionale në vend. Këto veprime të shtypjes së shtetit ndaj shqiptarëve rritën mllefin dhe urrejtjen e popullatës shqiptare ndaj partisë e cila udhëhiqte me shtetin-Lidhjes së komunistëve të Maqedonisë. Mbyllja e shkollave shqipe me urdhërin e LKM-së i la të pa punë shumë mësues e arsimtarë. Këtyre represioneve u bënë ballë mësimdhënësit e shkollës fillore “Liria” në Shkup dhe në veçanti profesorët e gjimnazit të Tetovës. Natyrisht se nisma për lëshimin e rradhëve të LKM-së nga ana e shqiptarëve filloi nga institucionet arsimore-pikërisht gjimnazi i Tetovës duke u bërë më vonë një lëvizje kombëtare shqiptare. Themelimi i LDK-së së Rugovës pati jehonë pozitive në të gjitha trojet shqiptare të federatës jugosllave dhe ndikoi edhe në krijimin e një klime politike për demokraci pluraliste edhe në Shqipëri, shtet ky i cili i fundit iu bashkangjitë valëve demokratike në Evropë.
Nga kjo lindi edhe inspirimi edhe i krijimit të partive demokratike në trojet shqiptare të ish Jugosllavisë.

Në fillim ideja ishte që shqiptarët e Maqedonisë të themelojnë degët e LDK-së. Në një konsultë që nismëtarët për themelimin e një partie politike demokratike siç ishin Mithat Emini, Havzi Mehmeti dhe Miftar Zyberi e kanë pasur me ideatorin e LDK-së profesorin Fehmi Agani (ku kanë marrur pjesë edhe Ali Aliu dhe Arbër Xhaferi) është përfunduar që shqiptarët e trojeve jashtë Kosovës të themelojnë partitë e tyre politike dhe të mos aderojnë në LDK, sepse shqiptarët kanë jetuar në një federatë por të coptuar në katër republika.

Pas shumë lëvizjeve politike klasa intelektuale e politike e shqiptarëve në Maqedoni arriti që më 15 prill 1990 në fshatin Xhepçisht të Tetovës të themelojë partinë e parë demokratike të quajtur Partia për Prosperitet Demokratik – PPD.

Struktura nismëtare e PPD-së ishte e substratit intelektual nga rradhët e nxënësve, studentëve, mësuesve, profesorëve, mjekëve, gazetarëve dhe strukturave tjera të cilat ishin diferencuar dhe përjashtuar nga puna si rezultat i rezistencës së tyre kundër diskriminimit që ua bënin klasa politike me mbështetje ideologjike komuniste. Ky diskriminim jo vetëm që bazohej në baza ideologjike por në thelb e kishte edhe diskriminimin etnik.

Platforma e politike e PPD-së mbështetej në këto shtylla:
-rikthimin e arsimimit shqip në shkollat e mesme pas aksionit të mbylljes së tyre me vendim të strukturave institucionale politike bazuar në difrencimin ideo-politik;
-rikthimin e pozitës kushtetuese të gjuhës shqipe pas ndalimit të përdorimit të saj në institucionet shtetërore;
-forcimin e pozitës së mediumeve të pakta si dhe zgjërimin e gjërësisë së emetimit të programeve;
-rikthimin e të diferencuarve politikë në vendet e tyre të mëparme të punës.
-rikthimin e toponimeve shqipe

Partia në fillim kishte përbërje shumëetnike dhe sipas statutit ishte definuar si parti e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe në strukturat e saja kishte anëtarë dhe udhëheqës partiakë të etnive të ndryshme dhe nënkryetari i saj i parë ishte maqedonasi Dushko Apostollovski, një avokat i mirënjohur në Shkup.

Ambienti politik i asaj kohe nuk duronte që të lindin pati politike në baza etnike sepse në këtë mënyrë LKM e humbte dominimin dhe anëtarsinë e sajë nga rradhët e etnikumeve të ndryshme dhe kështu me këtë e humbte edhe ndikimin propagandistik ndër shqiptarë.

Grupi nismëtar i përbëre prej intelektualëve nga rradhët e mësuesve, profesorëve, mjekëve, juristëve e tjerë për themelimin e PPD-së e kishte të vështirë të takohej haptazi në vende publike sepse ndiqej nga struktura të mëshehta policore. Për shkak të papërvojës politike dhe rrethanave tjera ishte vështirë të gjindej njeriu i cili do t’i printe këtij organizimi politik. Në fillim posti i kryetarit të ardhëshëm të PPD-së iu ofrua Alajdin Demirit, profesor i sociologjisë në gjimnazin e Tetovës, i cili për shkak se ishte i përjashtuar nga puna dhe duhet të siguronte ekzistencën e familjes në Zvicër nuk mundi ta pranojë. Poashtu ndodhi edhe me Rauf Izetin, veprimtar dhe profesor i frëngjishtes në gjimnaz të Tetovës. Në pozitë të vështirë familjare ishte edhe gazetari Xhabir Ahmeti i cili nuk mundte ta ushtrojë këtë detyrë. Opsioni i udhëheqjes kolektive ishte më pak i pranuar. Më në fund përzgjedhja ra te Nevzat Halili, një intelektual i dalluar dhe profesor i anglishtes në shkollën e mesme të mjekësisë i cili ditën e nominimit për kryetar nga modestia pat deklaruar se nuk e ndjen veten si kryetar, se edhe më tej veten e shihte si profesor dhe jo si politikan.

Si parti qytetare në thelbin e veprimtarisë politike konkrete PPD u shtri në të gjitha territoret e vendit dhe në të gjitha shtresat e etnikumeve si shqiptarë, turq, boshnjak , rom etj., por më vonë ajo u profilizua kryesisht ndër shqiptarë.

Nga presionet e parreshtura të shtypit dhe opinionit maqedonas nënkryetari Apostollovski pat dhënë dorëhjekje pak kohë më vonë zgjedhjes së tij. E gjendur nga mundësitë e vogla për ta përmirsuar pozitën arsimore, edukative, shëndetsore e ekonomike të shqiptarëve në Maqedoni si dhe faktit se zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1990 nga PPD-ja krijuan lëvizje kombëtare , partia e ndryshoi konceptin e veprimit duke u shndërruar më vonë, fill pas themelimit të saj, në parti etnike.

Shikuar në aspektin programor PPD ishte një parti moderne evropiane platformën e së cilës e pranuan pjesa dërmuese e popullatës shqiptare dhe ajo ishte një lëvizje e fortë popullore. Platforma e saj ishte vizionare dhe sot e kësaj dite mbetet e tillë. Ajo që sot është trend evropian-mbrojtja e ambientit jetësor, është paraparë që në vitin 1990 në programën e kësaj partie, kjo do të thotë mbrojtja e ambientit jetësor ishte ndër preokupimet e barabarta me ngritjen e statusit të shkollimit shqip në Maqedoni si synim parësor programor i lëvizjes. Mbrojtja e ambientit jetësor është detyrë e ngjutëshme, shkruan në Statutin e saj: zvogëlimi i përdorimit të pesticideve, pastrimi i ujërave të fëlliqura dhe ajrit të papastërt, dislokimi i fabrikave ndotëse të ajrit dhe ndërprerja e punës e objekteve që ndotin ajrin kanë qenë prioritete të platformës së saj politike (Statuti 1990).

Ngjarjet e Bit Pazarit ku policia pa të drejtë përdori forcë të pakontrolluar ndaj demonstrantëve shqiptarë e frikësuan tepër bashkësinë ndërkombëtare. Edhe pse PPD luajti një rol shumë vendimtar në qetësimin e situatës gjstë këtyre trazirave, e cila erdhi si pasojë e kriminalizimit të aparatit udhëheqës shtetëror e jo si pasojë e zhvillimit të tregut të zi nga ana e shqiptarëve, si dhe frika nga forca politike e PPD-së, establishmenti politik maqedonas dhe ai ndërkombëtar i mobilizuan shërbimet e intelegjencës evropiane, maqedonase dhe asaj të Shqipërisë me qëllim të dobësimit të forcës politike të PPD-së në mënyrë që kjo lëvizje politike të dobësohet dhe në fund të shkatrohet. Dobësimit dhe shkatrimit të PPD-së i gëzoheshin edhe forcat marksiste-enveriste për shkak se me paraqitjen në skenën të lëvizjeve demokratike në diasporë enveristët e humbën ndikimin në popullatë dhe me këtë edhe fondet që i grumbullonin nga diaspora.

John Philips, gazetar britanik, i cili ishte një kohë të shkurtë i akredituar në Maqedoni, shkruan se “…shërbimet intelegjente britanike dhe franceze dhe ekspertët e sigurimit filluan ti japin shërbime Ministrisë së brendëshme maqedonase” Philips, 2004). Philips shkruan se në vitet 1993 një oficer i intelegjencës britanike MI6 i quajtur Tomlinson ka pasur për detyrë të depërtojë në rradhët e PPD-së kinse është një gazetar i i magazinës londineze “ The Spectator”, të bashkëpunojë me njërin nga nënkryetarët e saj në cilësinë e gazetarit dhe pas përfundimit të mandatit t’ia tregojë atij të vërtetën se ka qenë asgjë tjetër veçse një spiun britanik. Philips shkruan se Tomlinson ka luajtur një rol vendimtar në zbulimin e të ashtuquajturës “Aferë e armëve”.

Shikuar nga retrospektiva nuk ka asnjë argument që mund ta mohojë se Sali Berisha dhe funksionarë të lartë të Partisë Demokratike në krye me ambasadorin e Shqipërisë Shaban Murati ia dhanë goditjet e fundit vdekjeprurëse shkatërrimit të PPD-së. Berisha në këtë mënyrë u vu në shërbim të shërbimeve sekrete që deshën shkatërimin e saj, por edhe si element mbrojtës përpara komunitetit ndërkombëtar , posaçërisht përpara establishmentit politik të SHBA se nuk ndërhynë në punët e brendëshme të një partie të pavarur politike.

Nuk ka asnjë dyshim se ishte tepër i madh roli i ish presidentit Gligorov në shkatërimin e PPD-së nëpërmjet shërbimit sekret maqedonas duke shfrytëzuar pretekste të ndryshme intervenimesh policore siç ishin intervenimet policore kundër përdorimit të flamurit kombëtar dhe hapjes së universitetit shqip në Tetovë. Gligorov në veprimet e tia destruktive ndaj PPD-së gëzonte tinëzisht edhe përkrahjen e disa politikanëve shqiptarë të cilët në figurën e tij shihnin shpëtimtarin dhe me direktivën e të cilit e formuan Lëvizjen Demokratike Shqiptare (LDSH) nën dirigjimin e një ish udhëheqsi të lartë komunist shqiptar, si parti kukull për të relativizuar ndikimin politik të PPD-së ndër shqiptarë, strategji kjo që nuk pati rezultate dhe shpejt dështoi.

Është e pakontestueshme se përpjekjet e agjensive të ndryshme të intelegjencive siç ishin MI6 , ajo franceze, shqiptare dhe maqedonase dhe paraqitja e turbulencave brenda partiake me formimin e PPDSH-së rëndë u dëmtua platforma politike shqiptare në Maqedoni sepse ne si shqiptarë dy vite të plota i humbëm në beteja grindavece brenda përbrenda subjektit të tonë të parë politik dhe nuk patëm kohë të merremi me problemet me të cilat hasej popullata shqiptare në Maqedoni. Këtë më së miri e ilustron diplomati gjerman Geert Ahrens, negociatori i parë në bisedimet tripalëshe Qeveria-shqiptarët-maqedonasit duke u shprehur se “… par dorëheqjes kolektive të udhëheqjes së PPD-së në nëntor 1993, skena politike shqiptare (në Maqedoni –vërejtja ime) u gjend në një kaos të vërtetë…” (Ahrens, Diplomacy on the Edge, fq 433).

E mira e së keqes, në këtë kaos të vërtetë politik ishte funksionimi i shkëlqyeshëm i Grupit parlamentar të PPD-së që e mbuloi mungesën e strukturave udhëheqëse dhe kryetarit të partisë për dy vite me rradhë. Lidhur me këtë Grupi parlamentar e merr mirënjohjen publike të ish kryetarit të shtetit të Kosovës, zotit Ibrahim Rugova i cili shprehet kështu: “…Të mos harrojmë se pa marrur parasyshë vështirësitë që i pati, Grupi parlamentar shqiptar gjatë kësaj periudhe ka arritur mjaft, e ka afirmuar çështjen edhe në institucionet ndërkombëtare, edhe në institucionet e asaj republike, edhe në institucionet shqiptare në përgjithësi, edhe në jetën politike shqiptare…” (Rilindja, 24.09.1994).

Përfundim

Lëvizja e parë politike ndër shqiptarët e Maqedonisë u krijua si pasojë e veprimeve nacionaliste maqedonase kundër identitetit, arsimit dhe kulturës shqiptare. Ajo personifikohej me partinë e parë politike shqiptare-Partinë për Prosperitet Demokratik themeluar nga rradhët e intelegjencës shqiptare e cila me sukses i përballoi valët e diferencimit politik, mbylljes së shkollave shqipe, burgosjes së veprimtarëve politikë dhe burgosjes së intelektualeve me qëllim të frikësimit të tyre dhe në fund nënshtrimit definitiv.

PPD-ja me 23 deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e para demokratike, në vitin 1991, ishte forca e vërtetë demokratike e cila për platformë e kishte afirmimin kombëtar të shqiptarëve nëpërmjet të zhvillimit të rrjetit shqip të arsimitit fillor, të mesëm e sipëror. Ajo ishte forca kryesore e themelimit dhe afirmimit të universitetit shqip , forca kryesore e mbrojtjes së dinjitetit shqiptar që vazhdonte të këmbëshkelet nga forcat nacionaliste maqedonase. Nën kujdesjen dhe nismën e saj u hap dialogu i parë shqiptaro-maqedonas nën kryesimin e diplomatit gjerman Geert Fridich Ahrens që më vonë mbaroi me nënshkrimin e Marrëveshtjes së Ohrit e cila e ndaloi konfliktin e vitit 2001.

Organizimi i referendumit për Autonomi politike e territoriale të shqiptarëve në Maqedoni ishte platforma e saj politike për statusin e shtetformësisë së shqiptare në këtë shtet ndërsa Deklarata për status të parabartë akti juridik më i lartë për barazinë etnike në këtë vend.

Për fat të keq platforma e saj kombëtare u bë pengesë për disa shërbime të intelegjincive evropiane e vendore të cilat e shkatruan atë dhe e hoqën nga skena politike.

Fjalët kyçe:

Lëvizjet demokratike në Evropën lindore, demokracia në Slloveni e Kroaci, Lech Walesa, Waclav Havel, Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës, Fehmi Agani, Geert Ahrens, Autonomia politike e territoriale, Deklarata për barazi.

Literatura e konsultuar

1.Philips.J., Macedonia. Warlords&Rebels in the Balkans, I.B. Tauris&CoTtd, London, 2004

2.Mircev, D., Nadvoreshnata politika na Republika Makedonija, Skopje, 2005

3, Mircev, D.,Makedonija vo tranzicijskiot tunel, Krug, Skopje, 2011

4. Arhens, G.,- Diplomacy on the Edge- The John Hopkins University Press, Baltimore, Marylend

5. Murati, Xh.,Profili politik i PPD-së, krijimi, shkëlqimi dhe rënia, 2011 , Çabej, Tetovë