Filloi karantina 80-orëshe për komunat më në rrezik në Maqedoni

0

Filloi ora policore për qytetarët e të gjitha komunave në Qytetin e Shkupit, komunat përreth si Haraçina, Zelenikova, Ilindeni, Petroveci dhe Studeniçani, në Kumanovë, Likovë, Shtip, Karbinc, Tetovë si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunocë.

Ndalesa për lëvizjen e qytetarëve në këto komuna do të zgjasë 80 orë, gjegjësisht deri të hënën në orën 05.

Në të gjitha qytetet e tjera në vend ndalesa për lëvizje e cila filloi në orën 21 do të vlejë deri në orën 05 nesër në mëngjes. Ndalesë për lëvizje do të kenë edhe ditëve të tjera të fundjavës së zgjatur, gjegjësisht edhe të premten, të shtunën dhe të dielën e cila do të fillojë në orën 16 dhe do të zgjasë deri në orën 05 në mëngjes.

Për shkak të festës Dita e Shpirtrave ndalesë është vendosur edhe për vizitën në varreza në mbarë territorin e shtetit edhe atë prej sonte prej orës 21 deri të hënën deri në orën 05.

Vendimi për vendosjen e sërishme të ndalesës për lëvizje është marrë në pajtim me rekomandimet e Komisionit për sëmundje infektuese, me qëllim të reagimit të shpejtë dhe efikas për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ndalesë për lëvizje në territorin e të gjithë shtetit pati deri në datën 26 të muajit të kaluar, kur u pezullua tërësisht.