Me vonesë prej gjysmë ore filloi mbledhja parlamentare kushtuar parashtrimit të pyetjeve të deputetëve, në të cilën gjithsej dhjetë deputetë janë paraqitur për të marrë fjalën.
Në fillim të mbledhjes koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski me vërejtje procedurale reagoi se në mbledhje nuk janë të pranishëm një numër i madh i përfaqësuesve të Qeverisë.
“Pyetja ime është ku është gjysma e Qeverisë? Mbledhja fillon me 35 minuta vonesë sepse përfaqësuesit e Qeverisë nuk ishin këtu. Është mirë që para fillimit të mbledhjes të numëroheni. Nuk e di nëse kjo sjellje që e keni ndaj qytetarëve do të donit ta pasqyronit edhe para deputetëve”, tha Micevski duke e akuzuar nënkryetarin e kuvendit, Goran Misovski se nuk ka guxim t’i thotë kryeministrit që t’i thërrasë të gjithë përfaqësuesit e Qeverisë.
Misovski, tha se do ta vazhdojë mbledhjen edhe pas orën 18, për shkak të vonesës objektive dhe tha se është i vetmi i cili derisa udhëhiqte me mbledhje edhe kryeministrit ia ka marrë fjalën.
“Kryetari i Qeverisë ka për detyrë, është detyrë e të gjithë përfaqësuesve të Qeverisë që të jenë të pranishëm në mbledhje. Shumica e përfaqësuesve janë këtu. Rregullorja lejon që kryeministri të japë përgjigje nëse ndonjë përfaqësues i Qeverisë nuk është i pranishëm”, tha Misovski.
Deputeti Halil Snopçe nga Aleanca për Shqiptarët reagoi se nuk është korrekte që përgjigjet e pyetjeve të deputetëve nga muaji i kaluar t’i marrin në ditën e mbledhjes. Ai theksoi se nuk do të deklarohet pas përgjigjeve.