Filloi me punë Stacioni i ri për matjen e cilësisë së ajrit në Gjevgjeli

0

Sot në Gjevgjeli, u vu në përdorim stacioni i ri i monitorimit të cilësisë së ajrit dhe me këtë numri i stacioneve zyrtare të monitorimit në vend u rrit në 18 dhe një stacion shtesë matës i lëvizshëm.

“Kjo nënkupton pasurimin e rrjetit kombëtar për monitorimin automatik të cilësisë së ajrit, duke arritur kështu qëllimet dhe prioritetet tona strategjike si Ministri e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe si Qeveri e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjegjësisht, lufta për përmirësimin e cilësisë së ajrit brenda aktiviteteve të parashikuara afatshkurtra dhe afatgjata nënkupton mbajtjen në gjendje të mirë të sistemit automatik shtetëror për cilësinë e ajrit të ambientit, por edhe rritjen e numrit të stacioneve matëse “, deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor Naser Nuredini në fjalën përshëndetëse, duke theksuar rëndësinë e bazës së të dhënave që mundëson analizimin dhe parashikimin e trendeve si dhe planifikimin e zhvillimit të hapësirës dhe aktiviteteve në mjedis, duke u përqëndruar në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Si një ministër që ka përgjegjësinë për të koordinuar zbatimin e programit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA, unë do të doja t’u bëja thirrje komunave, institucioneve dhe organizatave të tjera që të përgatisin projekte që do të ndihmojnë vërtet qytetarët. Ne jemi duke u mobilizuar që në periudhën e ardhshme të programit të drejtojmë edhe më mirë mbështetjen financiare nga fondet paraqasëse të Bashkimit Evropian “, tha ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Milevski.

Duke shprehur kënaqësinë që një projekt tjetër nga Programi i bashkëpunimit ndërkufitar IPA-2 me Republikën e Greqisë zbatohet me sukses në komunën e Gjevgjelisë, kryetari i Komunës së Gjevgjelisë Sasho Pockov, tha se pjesët më të mëdha të projekteve kapitale që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor të komunës siç është impianti i trajtimit të ujërave të zeza, deponia e përkohshme për mbeturinat komunale, sistemi i ri i furnizimit me ujë për shkak të pranisë së arsenikut në ujë në sistemin e vjetër, sistemet e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe atmosferike në qytet dhe në disa vendbanime janë realizuar me grante dhe si pjesë e programeve të bashkëpunimit ndërkufitar të BE-së.

Duke theksuar se realizimi i këtij projekti është pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar ndotjen, ambasadori i BE-së Dejvid Gir në fjalën e tij tha se përkushtimi i Bashkimi Evropian është në uljen e ndotjes së ajrit, adresimin e ndryshimeve klimatike, promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe mënyrën e shëndetshme të jetesës, gjë që javën e kaluar tanimë ishte bërë e ditur në Paketën e Investimeve Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, pjesë përbërëse e së cilës ëshë edhe vendi ynë.

Stacioni i monitorimit është furnizuar përmes projektit “Zhvillimi dhe zbatimi i indeksit shëndetësor për ndotjen e ajrit” i cili zbatohet brenda Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe është financuar nga programi Interreg-IPA CBC midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë.

Për realizimin e këtij projekti, Bashkimi Evropian përmes Programit IPA për Bashkëpunim ndërkufitar financoi projektin në një vlerë totale prej gati një milion eurosh për të dy vendet, ndërsa bashkëfinancimi kombëtar në vlerë prej 15 përqind u sigurua nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.

Përveç furnizimit të stacionit të monitorimit, një numër aktivitetesh të tjera janë duke u implementuar brenda projektit. Gjegjësisht, brenda këtij programi, është bërë një zëvendësim i plotë i të gjithë instrumenteve në stacionin matës Manastir 1, dhe janë blerë instrumente për matjen e grimcave PM 2.5, për stacionin matës Manastiri 1 dhe ky në Gjevgjeli. Gjithashtu, janë furnizuar dy instrumente automatike standarde / referente me vëllim të ulët për matjen e grimcave të suspenduara (PM10 dhe PM 2.5) dhe janë vendosur pranë stacioneve matëse Manastir 1 dhe Gjevgjeli. Për më tepër, në kuadër të projektit, do të vlerësohet ndikimi i cilësisë së ajrit në shëndetin e njeriut në rajonin ndërkufitar, do të zhvillohet një indeks shëndetësor, do të forcohet bashkëpunimi ndërkufitar duke organizuar trajnime tematike si dhe do të përgatiten dhe zbatohen disa aktivitete për ngritjen e vetëdijes publike të qytetarëve. Aktivitetet e planifikuara të projektit pritet të përfundojnë plotësisht deri në gusht të vitit 2021.

Filloi me punë Stacioni i ri për matjen e cilësisë së ajrit në Gjevgjeli Sot në Gjevgjeli, u vu në përdorim stacioni i…

Gepostet von Naser Nuredini am Donnerstag, 15. Oktober 2020