Dymbëdhjetë milionë euro do të investohen në qarkoren rreth Tetovës, në gjatësi prej 5,4 kilometra, në shtrirjen nga unaza “Trebosh” deri në Neproshten, ndërtimi i së cilës filloi sot.
“Ndërtimi i kësaj unaze është projekt që do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të rajonit, do të shkarkojmë trafikun dhe do të lehtësojë qasjen e shumë kompanive që veprojnë në këtë pjesë të vendit”, tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski.Mjetet janë siguruar nga buxheti i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore (NPRRSH), si pjesë e programit vjetor të investimeve.
“Është planifikuar të ndërtohen 5,4 kilometra rrugë, përkatësisht unaza do të ketë dy korsi nga të dyja anët me gjerësi totale 6.60 metra. Në të dy anët e rrugës do të ketë rrugë paralele shërbimi, tampon në të gjithë gjatësinë e segmentit me gjerësi rreth tre metra, informoi drejtori i NPRRSH, Ejup Rustemi.Në kuadër të këtij projekti, siç bëri të ditur Rustemi, janë paraparë disa objekte, si rrethrrotullimi, mbikalimi mbi hekurudhë. Ka filluar edhe procesi për shpronësim, ndërsa afati për kryerjen është 15 muaj pas futjes në punë të kontraktorit, pra ndërtimi duhet të përfundojë në maj të vitit të ardhshëm. Kjo është faza e parë për realizimin e projektit dhe faza e dytë parashikon ndërtimin e unazës Trebosh, për të cilin ka nisur projektimi. Unazën do ta ndërtojë kompania “Granit”.