Fillojnë përpjekjet për formimin e Qeverisë së re, partitë po kalkulojnë

0

Ardian Mehmeti/INA

Në Maqedoninë e Veriut kanë nisur përpjekjet për formimin e koalicionit qeverisës. I pari që po zotohet se do të sigurojë shumicën e nevojshme prej më pak se 61 deputetëver është kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. Ai dje paralajmëroi Qeveri të qëndrueshme e cila në mandatin katërvjeçarë do të zgjidhë çështjet e shtetit të së drejtës, çështjet ekonomike, shëndetësore, por edhe do të vazhdojë proceset e integrimeve evropiane.

“Qytetarët përmes votimet i japin direktivat dhe pritjet. Falë Zotit koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja mund të formojë Qeveri edhe me BDI-në edhe me Aleancën dhe Alternativën, varësisht nga largimi i nacionalizmave, varësisht nga një kapitull për pastrimin e gjyqësorit”, pohoi Zoran Zaev, kryetarë i LSDM-së.

Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë vendimtare për formimin e Qeverisë së re. Në këtë përbërje janë gjithsejt 33 deputetë shqiptarë nga partitë BDI, ASH – AA, BESA, PDSH dhe nga LSDM.

Ndërkohë, PDSH është partia e parë shqiptare që filloi bisedimet me LSDM për formimin e koalicionit qeveritar.

“Neve na u ofru mundësia për të qenë pjesë e Qeverisë së ardhshme nga kryetari i LSDM-së Zoran Zaev. Ne si parti e pranuam ftesën, janë formuar grupet punuese që do t’i udhëheqë sekretari i partisë bashke me sekretarin e LSDM-së. Do të bisedojmë gjatë ditëve të ardhshme për mundësitë për të qenë pjesë e qeverisë së ardhshme. Sot ishte takimi i parë vetëm kemi biseduar ndërsa për detaje do t’i saktësojnë grupet punuese në të ardhmen”, deklaroi sekretari gjeneral i PDSH-së, Azem Sadiku.

Megjithatë, BDI e cila ka 15 deputetë dhe me LSDM e PDSH e arrin numrin prej 62 deputetëve për formimin e Qeverisë po heshtë lidhur me atë se kanë filluar bisedimet për formimin e përbërjes së re parlamentare.

“Tani mund të fillojnë bisedimet por që akoma është herët për koalicionin dhe se ende nuk ka diçka konkrete në lidhje me bisedimet.”, theksoi kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti.

Kryetari i ASH-se, Ziadin Sela theksoi se akoma nuk kanë nisur bisedimet për formimin e qeverisë së re pasi ende nuk dihet mandatari. Sipas tij, do të ishte e shëndoshë për gjithë shoqërinë në vend që BDI-ja të shkojë në opozitë pas 18 viteve qeverisje.

Kreu i Alternativës, Afrim Gashi pas seancës konstitutive të Kuvendit deklaroi se nga kjo parti presin që fillimisht të caktohet mandatari e më pas të shohin opsionet për përfshirje në ekzekutiv. Gashi theksoi se bisedimet eventuale për përfshirje në qeveri do të zhvillohen si koalicion, bashkërisht me Aleancën për Shqiptarët.

Deputeti i lëvizjes Besa dhe i koalicionit “Mundemi” të udhëhequr nga Zoran Zaevi, Kastriot Rexhepi në një prononcim pas konstituimit të Kuvendit, tha se ende nuk ka asgjë konkrete rreth koalicioneve për formimin e shumicës së re parlamentare. Por, ai u shpreh se Kuvendi i ri duhet të punojë në drejtimin që vendi të ecë në rrugën evropiane, duke lënë për të nënkuptuar se koalicioni i ri qeverisëse do të jetë me ato forca politike që mbështesin eurointegrimet.

Nga ana tjetër, edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski nuk e përjashton mundësinë që disa deputetë të koalicionit të LSDM-së të mbështesin programin e partisë së tij. Siç tha ai, VMRO-DPMNE në periudhën e ardhshme do të përpiqet të formojë një shumicë parlamentare të ndërtuar mbi filozofi politike, e jo mbi tregti politike.

Ndryshe, në zgjedhjet e mbajtura më 15 korrik, koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM fitoi 46 deputetë, koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, koalicioni Aleanca dhe Alternativa – 12, E Majta 2 dhe PDSH 1 deputet.

Sipas Kushtetutës, presidenti i shtetit obligohet në afat prej 10 ditëve pas konstituimit të Kuvendit, të ndajë mandatin për formimin e Qeverisë.(INA)